“Fenomeni” i të djathtës ekstreme në Francë, Eri Zemour: Frika nga koronavirusi është e tepruar

22/11/2021 11:36

Eric Zemmour, personi që mund të jetë një kandidat nga e djathta ekstreme për zgjedhjet presidenciale në Francë, deklaroi këtë të hënë se frika në lidhje me koronavirusin është ekzagjeruar.

Deklarata e Zemmour bie ndesh me qëndrimin e shumë qeverive evropiane, të cilat po vendosin masa kufizuese për qytetarët me idenë për të luftuar një valë të pestë të pandemisë.

Duhet ta kthejmë në normalitet këtë epidemi. Ne kemi përfituar shumë nga frika e njerëzve. Ne e kemi tepruar dhe këtë e kemi bërë që në fillim”, tha ai për radion France Info.

Sondazhet tregojnë se Zemmour po lufton për vendin e dytë në zgjedhjet presidenciale me makinerinë politike të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Megjithatë, të njëjtat sondazhe, tregojnë se ata janë shumë larg pozicionit të fituesit në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Zemmour njihet për pikëpamjet e tij ekstremiste për çështje të tilla si emigrimi, islami dhe identiteti kombëtar.

Ai është shprehur se do të sugjeronte vetëm një dozë perforcuese për personat mbi 65 vjeç, duke dalë hapur në kundërshtim me rekomandimin e autoriteteve shëndetësore franceze, të cilët kanë deklaruar se dozën e tretë të vaksinës mund ta marrin të gjithë personat mbi 40 vjeç.

Po ashtu, Zemmour tha se do të synojë shfuqizimin e certifikatës shëndetësore, e cila përdoret tashmë në Francë si një leje për të hyrë në bare, restorante, muzeume dhe mjediset sportive.

Ai ka lindur në një periferi të Parisit në një familje hebreje nga Algjeria që erdhi në Francë gjatë Luftës Algjeriane të viteve 1954-62. Babai i tij ishte një ndihmës-mjek, kurse nëna një shtëpiake.

Zemmour është diplomuar në Universitetin “Sciences Po” dhe u bë gazetar pasi dështoi dy herë t’i bashkohej shkollës prestigjioze “Ecole Nationale D’administration”, e cila ka trajnuar shumicën e presidentëve francezë, duke përfshirë edhe Emmanuel Macron.

Ai është edhe autor i disa librave dhe dhjetra eseve politike dhe historike, të cilat janë botuar që nga mesi i viteve 1990.

“Vetëvrasja franceze: 40 vite që mund Francën”, u shndërrua në një bestseller, sapo u botua në vitin 2014. Ndërsa libri i tij i fundit “Franca s’e ka thënë fjalën e fundit”, thuhet se është shitur mbi 131 mijë kopje në vetëm 12 ditë, sipas gazetës së krahut të djathtë Valeurs Actuelles.

Top Channel