Lezha ‘triumfon’ me menaxhimin e mbetjeve, kryebashkiaku tregon si ia dalin të mbajnë pastër territorin

20/11/2021 13:37

Lezha, sipas kryeministrit Edi Rama, është bashkia që po menaxhon më mirë situatën e mbetjeve, edhe pse buxheti nuk është i lartë.

Në një takim të kryeministrit me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qyteteve bregdetare, fjalën e mori kryetari i bashkisë Lezhë, për të treguar metodën që është ndjekur.

Pjerin Ndreu tha se bashkia ka bashkëpunuar me bizneset, që i kanë mbledhur vetë mbetjet dhe i kanë nxjerrë në orare të caktuara që t’i marrë makina, ndërkohë që dhe vetë qytetarët janë ndërgjegjësuar.

Bashkia ka qenë kryesore në menaxhimin e gjithë kësaj situate. E bëmë me më pak kosto. Vjet kishim 40 punonjës sezonal, sivjet ia dolëm vetëm me 20.

Kemi bashkëbiseduar me biznesin, edhe pse u pesëfishua pjesëmarrja në plazh. Në një orar të caktuar në verë nxirrnin plehrat me qese. Edhe njerëzit filluan të ndërgjegjësohen, por është shtuar dhe monitorimi”.

Ndreu thotë se planifikohet shtimi i kamerave në qytet, jo vetëm për të goditur krimin, por dhe për të identifikuara ata që hedhin plehra vend e pa vend.

Mendojmë të organizojmë një grup me 50 nxënës ekselentë, që të nisin një fushatë sensibilizimi në qytet, pranë komunitetit”, thotë kryebashkiaku.

Masa ndëshkuese për ata që nuk paguajnë taksat, është një tjetër metodë që ka ndjekur bashkia e Lezhës:

Nëse nuk paguhen taksat në një lagje x, ne nuk do të bëjmë rrugë aty. Kështu funksionin”.

Megjithatë, pranon se situata në akset kombëtare, me mbetje e inerte në rrugë është problematike, ndërsa kërkon ndihmën e qeverisë:

Nëse qeveria do ta ndihmojë me 20 vetë, që t’i nxjerrim në akset rrugore, e zgjidhim dhe këtë punë”.

Planin e veprimit për pastrimin rrënjësor nga mbetjet në Shqipëri, ku prioritet është bregdeti, kryeministri Rama  e prezantoi dy javë më parë, nga pylli i Sodës në Vlorë, ku u angazhua dhe vetë ne pastrimin e zonës.

Ai u kujdes t’i tregonte ligjin Kryebashkiakëve në të gjithë vendin:

“Asnjë bashki nuk do të lejohet që për arsyet e mos arsyet e për justifikime të pajustifikueshme, në vend që t’i çojë mbetjet e veta në pikën fundore të krijojë pika të tjera, të paligjshme grumbullimi. E për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive, parashikon sanksione për vetë bashkitë”, u shpreh Kryeministri.

Top Channel