Me dhjetra qytetarë janë mbledhur të premten në mëngjes dhe kanë nisur një marshim homazh nga sheshi “Nënë Tereza” përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, për vrasjen makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiu.

Marshimi u organizua nga disa aktivistë të shoqërisë civile, shoqatat për të drejtat e fëmijëve që operojnë në vend dhe qytetarë të Tiranës. Në radhën e parë të pjesëmarrësve ishte e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit, znj.Lindita Nikolla.

Gjatë këtij aktiviteti qytetarët mbanin në duar parulla që shkruanin “Dhuna ndaj fëmijëve është krim” dhe “Stop dhunës”.

Në një moment të marshimit, gazetarët arritën të shkëpusnin një prononcim nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në lidhje me vendimin e familjarëve të 8-vjeçarit, Mateo Vasiu për të mbledhur firmat me idenë e rikthimit të dënimit më vdekje. Nikolla u shpreh se nuk duhen të merren vendime të nxituara nën efektin e momenteve të forta emocionale.

“Këto janë momente të forta emocionale e në këto momente ndoshta s’është vendimmarrja e duhur. Shqipëria e ka adresuar një moment të tillë. Shqipëria është pjesë e standardeve të BE dhe nuk mendoj që ky dënim s’do jetë ai që do bëjë të mundur marrja e këtij vendimi s’do jetë gjëja e duhur për të adresuar, ka shumë probleme të tjera që do i adresojmë që sa të mundemi të ecim para e të parandalojmë ngjarje të tilla, janë vendimmarrje që s’duhen marrë në emocione të tilla të forta.

Parlamenti do punojë do e përdorë këtë moment për të përfshirë të gjithë grupet e interesit që të kemi sa më shumë një proces shterues për të mësuar nga pikëpamja ligjore, nuk mjaftojnë vetëm ligjet, ligjet duhen zbatuar, duhet edhe një ndërgjegjësim që të parandalojmë fenomene të tilla e mos ndodhemi para një ngjarje makabre si ajo e Fierit”, tha Nikolla për mediat.

Kujtojmë se familjarët e vogëlushit kanë nisur që dje nënshkrimin e një peticioni përmes të cilit, synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur dhe nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit.

Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje prej gati 3 dekadash tashmë. Ishte viti 1992 pikërisht në Fier, kur u ekzekutua për herë të fundit një dënim kapital, varje në mes të qytetit. Kishte 8 muaj që kishte ardhur demokracia dhe legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.

Dy personat në foto janë vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit dhe u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”.

Varja u realizua me 25 qershor të vitit 1992, në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën dhe nga qytetet e tjera.

53 vende në gjithë botën e lejojnë me ligj dënimin me vdekje si praktikë për ekzekutimin e kriminelëve të një shkalle rrezikshmërie shumë të lartë.

Në asnjë shtet të Europës, përfshi Shqipërinë, nuk lejohet dënimi me vdekje.

Mes 53 vende që kanë legalizuar dhe ruajtur të drejtën për të ekzekutuar kriminelët për krimet e tyre janë: Bangladeshi, Kina, Egjipti, Etiopia, Indi, Indonezia, Irani, Japonia, Nigeria, Arabia Saudite, Korea e jugut, Sri Lanka, Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjykata këtë të enjte dha masën e arrestit me burg për Klodian Çalamënin. 38-vjeçari do të gjykohet pas hekurave për vrasjen e 8-vjeçarit që u gjet i mbuluar me baltë në oborrin e vrasësit.

Familjarët e të miturit janë futur me forcë brenda ambienteve të gjykatës, duke çarë edhe kordonin e policisë. Mes thirrjes “drejtësi” ata kanë kërkuar të ballafaqohen me Çalamanin, i cili nuk u paraqit në ambientet e gjykatës pikërisht prej gjendjes së rënduar.

Personat e pranishëm kërkonin që vrasësi të dënohej me varje pasi nuk mund të qëndronte në burg dhe të ushqehej me taksat e tyre.

“Kërkoj varjen në mes të Fierit sot, ma sillni këtu”,  tha nëna e djalit të vrarë, ndërsa të tjerë u shprehën se dënimi me burg nuk do ta linte të prehej në paqe 8-vjeçarin.

Pas dhënies së masës së arrestit nga gjykata, familjarët vendosin të largohen për t’u drejtuar drejt qendrës së qytetit. Ata dëgjohen në kor teksa thonë: “Të dënohet me varje”. Babai i Mateos ishte i pari që i “printe” turmës së familjarëve.

8-vjeçari i vrarë Mateo Vasiu

Si ndodhi ngjarja?

Mateo Vasiu ashtu si çdo ditë duhej të ishte nisur për në shkollë. 8-vjeçari ndiqte klasën e dytë. Ai nuk kishte shkuar atë ditë, ndërsa ishte parë në lagje teksa shëtiste me biçikletë. Ka qenë nëna e djalit që dha alarmin në lagje se i mituri nuk kishte shkuar në shkollë dhe as në shtëpi.

Pasi kontrolluan në lagje, ajo bashkë me bashkëshortin bënë denoncimin në polici.

Pas vëzhgimit të disa kamerave të sigurisë në lagje, u vu re se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e Çalamënit, me biçikletën e këtij të fundit. Më pas, policia zbarkoi në banesën e 38-vjeçarit. Ky i fundit, pasi u mor në pyetje në Polici, pranoi edhe autorësinë e krimit makabër.

Kush është Klodian Çalamani?

Çalamani ka qenë i arrestuar për pengmarrjen e një vajze në vitin 2012, por nuk dihet sesi ka mundur të përfitojë nga drejtësia. Ai deklaroi se e kishte qëlluar 8-vjeçarin me lopatë, pasi e kishte sharë. Më pas, autori i krimit e kishte groposur fëmijën në oborr.

Top Channel