Rojet polake sprapsin dy tentativa mësymjeje të emigrantëve nga hekurudha bjelloruse (fotot)

18/11/2021 15:23

Pamje dramatike vinin sot nga kriza e rëndë kufitare mes Polonisë e Bjellorusisë pas dy tentativave të mësymjes drejt Polonisë të emigrantëve përmes shinave hekurudhore nga Bjellorusia.

Imazhet tregonin sesi rojeve kufitare u lëshoheshin lazera në sy dhe goditeshin me gurë nga një grup agresiv prej rreth 50 emigrantësh që tentuan mësymjen e kufirit në pikën Czeremcha, rreth 100 km në jug të kampit të tyre të improvizuar.

Dhjetra tentativa të tjera ishin bërë gjatë natës teksa autoritetet polake thanë se kishin ndaluar një total prej 161 kalimesh të jashtëligjshme dhe 34 emigrante që kishin kaluar pengesat u deportuan forcërisht.

Situata mbetej edhe sot e tensionuar teksa emigrantët janë dërguar në streha të përkohshme nga autoritetet bjelloruse.

Lukashenko mohon akuzat perëndimore se po nxit krizën duke thënë se emigrantët janë azilkërkues të ligjshëm që duhet të lejohen në vendet pritëse.

Megjithse Polonia është fokusi kryesor i krizës, situata të ngjashme janë krijuar gjithshtu në kufijtë lindorë të Letonisë e Lituanisë.

Estonia, megjithse nuk ka kufij me Bjellorusinë ka grumbulluar trupa të shumta ushtarake mes frikave se emigrantët mund të shtyhen atje nga Rusia.

BE paraljmëron se Lukashenko mund të shtyjë emigrantët edhe drejt Ukrainës, e cila nuk është anëtare e BE por është e përfshirë në një konfrontim të gjatë me Rusinë.

Pas presionit nga BE dhe shembullit të Turqisë, linjat ajrore kanë ndaluar të fluturojnë pasagjerë me kombësi emigrantësh të mundshëm drejt  Bjellorusisë.

Iraku tha sot se do të nisë riatdhesime të qytetarëve të saj nga Bjellorusia në bashkëpunim me agjencinë evropiane Frontex.

Rusia mirëpriti dje biseidmet direkte që do të nisin me BE dhe Bjellorusisë për krizën.

FOTO GALERI
1/9
Polonia sprapsi dy tentativa mesymjeje të emigrantëve përmes shinave hekurudhore nga Bjellorusia.

Top Channel