Mbyllet procesi, Shqipëria emeton eurobondin me vlerë 650 milionë euro dhe interes 3.75%

18/11/2021 18:42

Është mbyllur procesi i emetimit të eurobondit të qeverisë shqiptare. Shuma e kërkuar nga qeveria ishte 500-700 milionë euro dhe u finalizuan me 650 milionë euro me interes 3.75%.

Qeveria e ka marrë këtë borxh për një afat 10 vjeçar.

Republika e Shqipërisë doli me sukses në tregjet ndërkombëtare me një obligacion ndërkombëtar të ri 10-vjeçar në vlerën prej 650 milion € me një kupon prej 3.50% me interes 3.75%“, thuhet në njoftim.

Procesi u drejtua nga Zv Kryeministri Z. Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Znj Delina Ibrahimi.

Investitorët treguan konfidencë, duke shprehur interes që u tregua në ofertat që kaluan 1.8 herë vlerën e kërkuar. Ky ishte një test real për ekonominë shqiptare që tregjet financiare reflektuan besimin edhe në kohët më të vështira“.

Mësohet se ky transaksion shënon rikthimin e suksesshëm të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke pasuar emetimet e mëparshme të realizuara në 2010, 2015, 2018 dhe 2020, ku u arrit financimi me po të njëjtin kupon si në 2020 3.5% por me një afat maturimi 10 vjeçar.

Më herët qeveria ka bërë të ditur se do ta përdorë këtë eurobond kryesisht për financimin e deficitit buxhetor për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj.

Ky është eurobondi i pestë i qeverisë shqiptare. Dalja e parë ishte në vitin 2010, me vlerë 300 milionë euro. Ajo arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe afat maturimi 5-vjeçar.

Top Channel