Njoftimi i presidentes Vjosa Osmani i dha fund debateve të ashpra që ngjalli ftesa- fillimisht e munguar, e më pas e konfirmuar e Shteteve të Bashkuara për pjesëmarrjen e Kosovës në samitin për Demokraci që organizon presidenti amerikan Joe Biden në muajin dhjetor.
“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden. Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol kryesor kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani duke konfirmuar ekzistencën e ftesës.
Fakti që në listën e publikuar disa ditë më parë mungonte Kosova, nxiti reagimet e opozitës por edhe disa vëzhguesve, që thanë se një zhvillim i tillë është tepër i dëmshëm për vendin. Tani që ftesa u konfirmua, njohësi i çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula e përshkroi atë si dëshmi të faktit që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë braktisur Kosovën.
“Prania në Samitin e Demokracisë, para së gjithash, nënkupton bindje politike mbi riafirmimin e angazhimit afatgjatë të dy vendeve tona mbi partneritetin dhe vlerat e përbashkëta. Republika e Kosovës nuk ka aleat më dashamirës e të besueshëm se SHBA-ja në angazhimin e përbashkët lidhur me vlerat e demokracisë që kontribuojnë për demokracinë dhe paqen në rajon dhe botë”, theksoi ai, duke shtuar se “administrata amerikane e presidentit Biden e ka dyfishuar përkushtimin ndaj partneritetit me Kosovën”.
Top Channel