Në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë po vazhdon të jetë një situatë e brishtë e sigurisë pasi migrantët sërish kanë provuar që me forcë të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian.
Polonia njoftoi të dielën (14 nëntor) se më shumë se 200 migrantë kanë tentuar të kalojnë me forcë kufirin.
Ata kanë mbetur të bllokuar në acar dhe pa kushte elementare të jetesës.
Minsku po përballet me sanksione të reja për krizën në rritje në kufirin lindor të bllokut.
Rojet kufitare polake ka regjistruar 223 përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin, shkroi ky mekanizëm i sigurisë në rrjetin social Twitter.
Policia tha se ka përdorur forcë për të zmbrapsur migrantët.
Një migrant ka hedhur gurë në drejtim të policisë duke dëmtuar helmetën e një pjesëtari të forcave të sigurisë, tha policia.
Edhe në ditët e kaluara ka pasur përleshje të tilla.
Autoritetet polake kanë njoftuar për arrestimin e dhjetëra migrantëve që kryesisht janë nga Lindja e Mesme, por edhe nga Azia Jugore dhe Afrika.
Ata po përpiqen të hyjnë në Poloni, Letoni dhe Lituani.
Bashkimi Evropian e ka akuzuar udhëheqësin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka për krizën me migrant dhe transportimin e tyre në kufijtë e bllokut evropian për t’u hakmarrë kundër Brukselit për sanksionet e vendosura pas zgjedhjeve të kundërshtuara presidenciale të vitit të kaluar.
Qeveria e Lukashenkas, e cila mbështetet nga Rusia, mohon akuzat dhe ka akuzuar Poloninë dhe BE-në për shkelje të të drejtave të njeriut.
Minsku ka thënë se BE-ja po u mohon migrantëve të drejtën që të aplikojnë për azil.
BE-ja dhe Polonia kanë akuzuar edhe Moskën se në këtë situatë po e ndihmon Lukashenkan, mirëpo Kremlini ka hedhur poshtë akuzat.
Polonia ka dërguar 15.000 ushtarë në kufirin e saj me Bjellorusinë.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen më 15 nëntor dhe pritet të miratojnë një paketë të re sanksionesh që mund të synojnë kompaninë ajrore shtetërore të Bjellorusisë.
Kompania dyshohet se ka pasur rol në transportimin e migrantëve, shkruan REL.
Top Channel