Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço i ka kërkuar Komisionit të Ekonomisë shtyrjen e afatit të konsultimeve për ndryshimet në paketën fiskale 2022.
Në një letër drejtuar Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsit dhe Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, Dhoma Amerikane e Tregtisë vë në dukje shkeljet e përsëritura, flagrante ligjore në procesin e konsultimit publik, si dhe ndërhyrjet e shpeshta në paketën fiskale edhe pse Qeveria është zotuar publikisht për mos ndryshime të shpeshta të saj.
Në letër nënvizohet rëndësia e një ligji të ri për tatimet, si kërkesë e komunitetit ndërkombëtar të biznesit.
“Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë”, citohet nga letra.
Jaço thekson se kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do të sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit.
Dhoma Amerikane shprehu shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjeve, duke theksuar thyerjen e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet, si edhe shkeljen e përsëritur e afateve të ligjit mbi konsultimin publik.
Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjit, duke i lënë mundësi “grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre, duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij”.
Jaço ka shprehur kritika edhe në deklarata të mëparshme se legjislacioni aktual i tatimeve është i prapambetur, duke kërkuar modernizimin e tij.
Top Channel