Tempulli mahnitës i “Të gjitha besimeve” kombinon arkitekturën e të gjithë feve të Rusisë (fotogaleri)

10/11/2021 17:39

Fotot e mëposhtme tregojnë një prej tempujve më të pazakontë në botë, i cili sipas krijuesve është ndërtuar ‘me urdhër të vetë Jezusit’.

‘Tempulli i Të Gjitha Feve’ përfshin të gjitha besimet fetare në arkitekturën e tij, me motivet më të dallueshme të kishave ortodokse, katolike, sinagogave hebreje, xhamive muslimane, pagodave kineze, tempujve budistë madje dhe simbolet e besimeve të lashta fetare.

Vendi ndodhet në Staroye Arakchino, një qytezë në brigjet e lumit Vollga pranë qytetit Kazan, kryeqyteti i republikës ruse të Tatarstan.

Pjesa e jashtme e tempulit ende në ndërtim, është lyer me ngjyra të ndezura, xhama të trashë dhe mozaikë të detajuar. Majat e strukturave janë kupolat ruse në formë qepe, apo ato greke ortodokse.

Ndërsa brenda tyre, dhomat e lidhura me njëra-tjetrën  shprehin tema të ndryshme fetare, që prej sallave katolike e gjiptiane, deri të “teatri dhe galeritë e Jezus Krishtit”.

Muret e tempullit janë të zbukuruara me portrete të shenjtorëve kristianë, me murale hindu, tabela apo figurina të besimeve të ndryshme.

Ndërtimi është organizuar nga artisti i ndjerë rus Ildar Khanov i cili kishte thënë se Krishti i doli në ëndërr për ta udhëzuar të ndërtonte një tempull të të gjitha besimeve fetare.

Prandaj prej vitit 1994 ai mblodhi vullnetarë për nisjen e misionit të tij dhe ngadalë, pas dy dekadash krijimi po merr formë.

Megjithë pamjen e tematikën e tij, tempulli nuk është krijuar si një vend lutjeje.

Në një intervistë të vitit 2012 me të përditshmen Le Figaro, krijuesi tha se qëllimi ishte sensibilizimi i solidarizimit të të gjitha feve, ‘për t’u dhënë besimtarëve një vend bashkësie e komunikimi’.

“Idea nuk është shkrirja e të gjitha besimeve në një, pasi secila ka historinë e saj dhe nevojat e saj kulturore. Ky nuk është një vend lutjeje, por një vend kulture për fenë”.

Ildar Khanov vdiq në vitin 2013 në moshën 74 vjeçare, teksa vëllai i tij Ilgiz e motra Flura Galeeva, morën përsipër vijimin e punës për tempullin. Me ndihmën e artistëve e vullnetarëve ata po sjellin në jetë vizionin e tij.

Aktualisht vendi është i hapur për vizitorët megjithë se punimet nuk kanë përfunduar, me një pagesë prej 100 rubla ($1), dhe është 20-minuta larg me autobuz nga qendra e qytetit Kazan.

FOTO GALERI
3/11
Vendi ndodhet në Staroye Arakchino, një qytezë në brigjet e lumit Vollga

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA