Paralajmërimi i ekspertëve: Bota në rrezik nëse ngrohja globale shkon në 2 gradë Celsius

09/11/2021 12:41

Një miliard njerëz mund të përballen me nivele vdekjeprurëse të nxehti nëse ngrohja globale arrin 2 gradët Celsius mbi nivelet para-industriale paralajmërojnë ekspertët në një studim të ri.

Ata flasin për një kombinim të rrezikshëm të nxehtësisë me lagështinë e ajrit, që do ta bënte vapën të papërballueshme. Pasojat e një fenomeni të tillë mbi organizmin janë ato të rraskapitjes nga i nxehti, djersitje shumë e madhe, puls i shpejtë, dhe më e rrezikshmja problem në zemër apo organe të tjera.

Personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe të moshuarit janë më të kërcënuarit nga një situatë e tillë, si dhe punëtorët që duhet të punojnë në ambiente të hapura.

Aktualisht, 68 milionë vetë anembanë globit janë të prekur nga i ashtuquajturi stres i nxehtësisë. Një grup akademikësh dhe shkencëtarësh të zyrës britanike të metereologjisë paralajmërojnë se ky numër do të rritet 15 herë në rastin e një skenari të 2 gradëve.

Sipas tyre, në një rast të tillë situata do të vijë duke u përkeqësuar deri në pikën që në kushte të tilla, të arrijë të jetojë thuajse gjysma e popullsisë së botës.

 

Top Channel