Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga punimet për ndërtimin e Hekurudhës së re Tiranë-Durrës,. ndërsa punimet kanë nisur para pak ditësh.
Puna ka nisur me largimin e shinave të vjetra. Teksa ky investim do të bëjë që drejt qytetit bregdetar do të shkohet për 22 minuta, e ndërsa do të shkurtohet edhe rruga për në Rinas, e cila do të bëhet për 12 minuta.
“Nis puna për Hekurudhën e re Tiranë – Durrës me largimin e shinave të vjetra”, shkruan Rama në një postim në rrjete sociale.
Projekti për ndërtimin e hekurudhës do të zbatohet nga kompania italiane INC Spa e cila u shpall fituese një vit më parë me një ofertë 69.7 milionë euro. Linja që do të rehabilitohet si pjesë e projektit fillon në platformën e stacionit të Terminalit të Durrësit dhe përfundon pranë ish-stacionit të Trenit në Tiranë me një gjatësi totale prej mbi 35km.
Fillimisht projekti parashikohej të mbaronte në terminalin e transportit publik në Tiranë, ku është sot terminali i autobusëve.
Por, për shkak të humbjes së pasagjerëve me largimin e stacionit të trenit, është vendosur që të zgjaten edhe disa kilometra hekurudhë, në mënyrë që vetëm terminali i pasagjerëve të jetë afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të sotshëm.
Projekti do sjellë modernizimin e linjës Tiranë-Durrës dhe do të sigurojë një linjë të re të rëndësishme për të dyja qytetet në Tirana International Airport.
Pritet që në vijim të rehabilitimit të hekurudhës nga projekti, dhe shtimit të trenave të rinj, mund të arrihet shpejtësia prej të paktën 100 km/orë edhe pse nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është deklaruar se Tiranë-Rinas do të përshkohet për 12 minuta, ndërsa Tiranë-Durrës për 22 minuta, me një shpejtësi prej 160 km/orë.
Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Agjendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.
Top Channel