Përplasjet për naftë në Gjirin e Hormuzit/ Ushtria iraniane i tregon “dhëmbët” Amerikës

07/11/2021 19:07

Ushtria e Iranit ka filluar stërvitjet ceremoniale në jugperëndim të vendit, afër Gjirit të Hormuzit, një vend strategjik, ku javën e kaluar pati edhe një përplasje me marinën amerikane.

Televizioni shtetëror iranian shfaqi pamje nga stërvitja, ku helikopterë, dron, tanke dhe anijet luftarake kryenin manovra me arsenalin e tyre.

Admirali Mahmoud Moussavi u shpreh se kjo stërvitje vlente si një paralajmërim për të gjithë shtetet armike të Iranit.

Ushtria elitare e “Trupave Revolucionarë” u shpreh se javën e kaluar se kishte parandaluar një përpjekje të Marinës Amerikane për të rrëmbyer një anije iraniane që po transportonte naftë në Detin e Omanit.

Ministria e Mbrojtjes Amerikane dha një version tjetër për ngjarjen, duke drejtuar gishtin nga iranianët për rrëmbimin e anijes, ndërsa ata vëzhgonin situatën pa ndërhyrë.

Gjiri i Hormuzit është një pikë kyçe për transportin e naftës në botë, dhe një arenë beteje ku anijet amerikane dhe ato të Iranit përplasen herë pas here.

Ky tensionim i situatës vjen në mes të përgatitjeve për takimin e radhës në lidhje më një marrëveshje të re për armët bërthamore të Iranit.

Fuqitë perëndimore po përpiqen të ulin në tavolinë vendin, pasi në 2018-ën Donald Trump tërhoqi Amerikën nga marrëveshja bërthamore e finalizuar nga administrata e Obamës.

Pas kësaj, tensionet mes dy vendeve kanë qenë gjithmonë të larta, ku në 2019-ën një seri sulmesh ndaj anijeve me fuçi nafte mund t’i përshkallëzonte gjërat edhe më tej.

Bisedimet pritet të fillojnë në 29 nëntor në Vienë, pasi presidenti i zgjedhur rishtazi Ebrahim Raisi, i pezulloi ato për njëfarë kohe.

 

Top Channel