Një bisedë ‘online’, në dukje rastësore, bën bashkë një grup të rinjsh në një vilë milionerësh gjatë karantinës.

Dy vajza të paftuara, Tesa (Ketjona Pecnikaj) dhe Sara (Altea Lazaj), e gjejnë veten përballë një grupi njerëzish që nuk hezitojnë t’ua përplasin derën në fytyrë.

Por pavarësisht komenteve, fjalëve të nënkuptuara dhe dyshimeve, Tesa këmbëngul që ajo dhe Sara duhet të qëndrojnë në vilë dhe injoron me vetëdije çdo nënvlerësim ndaj tyre.

Një festë planifikohet aty për aty nga djali i pronarit të shtëpisë, Bojkeni (Brarend Akçiu) i cili duket i pashqetësuar ndonëse dy njerëz nga rruga ia behën në shtëpinë e tij.

Bojkeni nuk u zë besë dyshimeve të të dashurës, Kristelës (Olta Beqiri) për të panjohurat. Ai duket se nuk ka lidhje me intrigat dhe ndoshta kjo gjë e ka penguar që të kuptojë dhe intrigat që po i bëhen pas shpine nga njerëz shumë të besuar, edhe para syve të tij.

Shumë konflikte dalin në sipërfaqe që në serinë e parë. Kush po fsheh çfarë? A janë të gjithë ashtu siç duken? Pa bërë spoilers, përgjigjja është “Jo”. Nga çfarë pritet të ndodhë, këta të rinj nuk do ta shohin më njësoj njëri-tjetrin. Disa prej tyre, nuk janë rastësisht në vilë.

$NOB transmetohet çdo të diel ora 20:00 në Top Channel dhe do të ritransmetohet të mërkurave në orën 23:30.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel