Një operacion i gjerë kërkimi ka nisur në Majorca të Spanjës pasi të paktën 20 emigrantë janë arratisur nga një avion kur një prej tyre hiqej sikur kishte një emergjencë mjekësore.
Avioni i pasagjerëve që shkonte drejt Stambollit nga Kasablanka e Marokut, ndryshoi kurs dhe u ul në aeroportin e Palma, kur një prej pasagjerëve dukej se po pësonte një gjendje kome diabetike.
Por pas uljes së avionit, kur grupet e emergjencës mjekësore u ngjitën në bord, një grup emigrantësh doli nga dera e hapur dhe u zhdukën në pistën e mbuluar nga nata.
Ndërsa burri që bënte gjoja se ishte në koma diabetike, u tha mjekëve se ndjehej shumë mirë kur mbërriti në spitalin Son Llatzer të ishullit spanjoll.
Raportimet thonin mbrëmë se “pacienti i rremë” rreth 30 vjeçar, që ishte në qendër të incidentit, më vonë kërkoi azil politik.
Një mik i tij që udhëtoi me të drejt qendrës mjeksore u arratis mëngjesin e sotëm.
Deri tani policia vendase tha se ka kapur 11 nga të arratisurit, ndërsa 12 të tjerë mbeten të zhdukur.
Hetuesit besojnë se incidenti, i cili besohet se është i pari i këtij lloji në aviacion, është një komplot i organizuar më së miri.
Arratisja solli pezullime të të gjitha fluturimeve për disa orë.
Majorca po kthehet gjithnjë e më shumë në një objektiv të trafikantëve njerëzorë që ndihmojnë emigrantët ilegalë të arrijnë atje me barka nga Veriu i Afrikes.
Top Channel