Yuri Kim: Të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para fundit të vitit 2021. Mbështesim ‘Open Balkan’

29/10/2021 13:52

Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar për Ballkanin Perëndimor duke thënë se SHBA e mbështet ndërsa thotë se BE duhet të hapë negociatat para fundvitit 2021.

Me anë të një postimi në Twitter, thekson se Ballkani i Hapur duhet të jetë për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë një mesazh tre shteteve të tjera që t’i bashkohen nismës.

Angazhimi i SHBA për Ballkanin Perëndimor mbetet i fortë, përfshirë mbështetjen që BE të hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para fundit të vitit 2021. Gjithashtu mbështesin Open Balkan (e cila duhet të jetë e hapur për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor) dhe nisma të tjera që nxisin integrimin rajonal”, shkroi Kim.

Ambasadorja e SHBA ka ndarë edhe mesazhin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Gabriel Escobar, i cili bëri të qartë përkushtimin e administratës Biden ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë dëshmisë së tij mbi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në rajon.

Escobar sqaroi se beson tek nisma e tre udhëheqësve Rama-Vuçiç-Zaev për “Ballkanin e Hapur”, por nuk mund të ketë sukses pa tre vendet e tjera. Megjithatë thekson se do të krijojë besim mes njerëzve, por nuk do të mungojnë lëvizjet politike për disa çështje.

Udhëheqësit e të tre vendeve që kanë shqyrtuar nismën e Ballkanit të Hapur na kanë siguruar se ajo është e hapur për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ne u besojmë atyre. Në fakt, ajo nuk mund të ketë sukses pa tre vendet e tjera. Nisma e Ballkanit të Hapur pasqyron gjithashtu edhe diçka nga Procesi i Berlinit, quajtur treg rajonal i përbashkët, ndaj ne mendojmë se janë plotësuese, ne mendojmë se çdo gjë që i sjell vendet më afër do të krijojë besim ndërmjet njerëzve, ndërsa do të krijojë edhe mundësi për lëvizje politike për disa nga çështjet.

Pra, po, ne mbështesim të gjitha përpjekjet për t’i sjellë vendet më afër ekonomikisht. A duhet të ndodhë kjo? A duhet të kemi një treg rajonal, një treg të lirë midis gjashtë vendeve me njëzet milionë banorë dhe një ekonomi 125 miliardë dollarëshe, me ritme rritjeje deri në gjashtë apo shtatë për qind? Do të jetë një treg shumë, shumë tërheqës për kompanitë amerikane. Pra, ne duam t’a nxisim të gjithë këtë, dhe duam të nxisim gjithashtu edhe investimet amerikane në rajon”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Escobar.

Open Balkan (Ballkani i Hapur) është emri i marrëveshjes së krijuar nga kryeministri Edi Rama, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev, që synon heqjen e kufijve dhe burokracive mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përfitim të lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Të tri shtetet nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim rajonal në Forumin Ekonomik “Ballkani i Hapur”. E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë përfshirë.

Top Channel