Regjisorja e njohur shqiptare, Burbuqe Berisha, u nda nga jeta këtë të mërkurë në moshën 51-vjeçare.

Ajo ishte një regjisore, ligjëruese dhe për disa vite ka shërbyer edhe si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Duke u ndarë nga jeta në moshë të parakohshme, Berisha ka lënë të pikëlluar mbarë komunitetin artistik.

Burbuqe Berisha ka lindur më 28 maj të vitit 1970 në Prishtinë. Ajo përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë, për të vazhduar me studimet në Fakultetin e Arteve për regji filmi në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Krahas profesionit si regjisore, ajo ka ushtruar edhe pozitën e drejtoreshës në Teatrin Kombëtar të Kosovës për një periudhë katër vjeçare. Ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota” në vitin 2017. Prej vitesh, jepte mësim në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv.

Burbuqe Berisha do të mbahet mend si regjisorja e prodhimeve të suksesshme kinematografike në Kosovë.

Ka krijuar një numër të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe te gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe në vitin 2019 është fituese e çmimit kombëtar për kinematografi .

Disa nga prodhimet e saj më të suksesshme përfshijnë: “Një tregim Prishtine”, “Ashensori”, Ëndrra”, “Drimri i shpirtit”, “Lexi në qytet” (në 10 episode), “Kosova 9/11”, “Bunari”, “Nanë”, “Viti 2000”, “Çelësi”, dhe “Gratë”.

Prej shfaqjeve të saj teatrale veçohen:”Bretkosa”, “Revolveri”, “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, e të tjera.

 

Top Channel