Princesha e Japonisë vendosi t’i thotë “Po” djalit që i rrëmbeu zemrën në universitet, duke hequr kështu dorë përgjithnjë nga statusi mbretëror.
Ligji japonez përcakton se nëse një anëtare femër e familjes mbretërore martohet me një person të thjeshtë, nuk do të gëzojë më statusin perandorak.
Por, ky rregull i rreptë nuk e pengoi princeshën Mako të kurorëzohet me Kei Komuron.
Duke anashkaluar ritet e dasmës tipike mbretërore, 30-vjeçarja u largua nga pallati për t’u zhvendosur drejt Shteteve të Bashkuara ku Komuro punon si avokat.
Japonezët ishin kundër kësaj martese, madje u ngritën në protesta. Prej vitesh, marrëdhënia e princeshës është kritikuar në media e rrjete sociale dhe duket se zgjidhja më e mirë për Makon është largimi nga vendi.
Në përpjekje për të zbutur opinionin pubik, ajo refuzoi dhe pagesën 1 milion dollarëshe që u jepet vajzave kur largohen nga familja mbretërore.
Edhe pse mbesa e perandorit, Mako nuk ishte pretendente për fronin, pasi ligji japonez i trashëgimisë përfshin vetëm meshkujt.
30-vjeçarja, e cila nuk do të njihet më si princeshë, nuk është gruaja e parë që largohet nga familja mbretërore japoneze. Më herët ishte tezja e saj, Sayako, vajza e vetme e perandorit Akihito, që u martua me planifikuesin e qytetit Yoshiki Kuroda në vitin 2005.
Top Channel