Policia kufitare e Kakavijës ka sekuestruar 44. 500 euro, shumë kjo e fshehur në gomën rezervë të një automjeti tip ‘Honday’.

Sipas njoftimit të bërë nga policia mësohet se është proceduar penalisht drejtuesi i automjetit, shtetasi A.N., i cili nuk kishte të deklaruar shumën e parave.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në të detajuar në vijën e dytë, automjetin tip “Honday” me drejtues shtetasin A. N., 41 vjeç, banues në fshatin Moravë, Berat.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në gomën rezervë, 44. 500 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtuesi i automjetit shtetasi A. N. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Top Channel