Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vite burg Aleks Pepën, i akuzuar për grup kriminal dhe vjedhje me dhunë. Ai u dënua për grabitjen e 990 mijë eurove në vitin 2016 në pistën e Aeroportit të Rinasit.

Për këtë ngjarje Pepa është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “INTERPOL”-i. Elbasanlliu, cilësohet nga prokurorët e Krimeve të Rënda si “truri” i kësaj grabitje, të ndodhur para syve të shumë personave, të cilët ishin në pritje për të udhëtuar me avion drejt Italisë.

Pepa dhe dy bashkëpuntorët e tij janë identifikuar nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike, të cilat kanë vërtetuar se në 30 qershor 2016, autorët janë lokalizuar nga antenat telefonike në zonën e Rinasit.

Ndërkohë informacionet flasin se Aleks Pepa pas kryerjes së grabitjes është larguar nga Shqipëria në drejtim të Rumanisë dhe më tej nuk dihet destinacioni i tij.

Grabitja

Dy personat që çanë rrethimin e aeroportit më 30 qershor 2016 dhe hynë brenda territorit të tij me një automjet tip “Benz-Mercedez“ ngjyrë të kuqe, ishin të armatosur. Ata kanë pasur dhe një bashkëpunëtor të tretë, i cili i priste jashtë pistës së aeroportit, me një makinë të vjedhur. Ky person, ka pasur rolin e ndihmësit, për largimin e tyre dhe humbjes së gjurmëve.

Gjatë hetimeve, prokurorët kanë zbuluar se tre autorët, kanë përdorur katër makina të vjedhura. Njërën nga makinat e vjedhura e kanë marrë në Pogradec, dy në Elbasan dhe një furgon në Durrës.

Besohet se Pepa, së bashku me një person tjetër kanë këputur me darë çelësat e derës së rrethimit të Aeroportit të Rinasit dhe më pas janë futur me një automjet tip “Benz” ngjyrë të kuqe, duke u afruar në makinat e blindura të një shoqërie sigurie, e cila ishte kontraktuar nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë për të transportuar sasinë e eurove nga Tirana, në drejtim të Rinasit, me qëllim transferimin e shumës financiare jashtë shtetit.

Por informacion për këtë lëvizje kanë pasur dhe tre autorët të cilët kanë hyrë me shpejtësi në Rinas dhe menjëherë kanë sulmuar me armë rojet e sigurisë së furgonit të blinduar ku ndodheshin eurot. Shoferi nga frika ka hyrë poshtë furgonit ndërkohë dy personat e veshur me të zeza, kanë arritur të hapin furgonin dhe të marrin prej andej shumën prej 990 mijë euro.

Top Channel