Ekzekutimi i 57 vjecarit Demir Backa në Fier, u qëllua nga afër me 18 plumba/ Shoqërohen në polici 15 persona

25/10/2021 11:27

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e biznesmenit Demir Backa në Fier!

Top Channel mëson se tre plumba në zonën e qafës dhe kokës dhe rreth 15 të tjerë në kraharor i kanë marrë jetën 57-vjeçarit, Demir Backa, në atentatin e së shtunës në mbrëmje në Fier.

Policia e Fierit ka shoqëruar deri më tani 15 persona, të cilët janë marrë në pyetje mbi ngjarjen e ndodhur.

Makina e krimit, një “Mercedez Benz” me targa kosovare u gjet pak kilometra larg vendit të krimit, në afërsi të Spitalit Memorial në Fier, ndërsa brenda në makinë u gjetën një arme zjarri kallashnikov dhe një pistolete që dyshohet se janë përdorur në krim.

Ndërkaq, mjeti i djegur i autorëve, me targa të vjedhura të Kosovës, është dërguar në komisariatin e policisë së Fier.

Policia vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Demir Backës.

Si ndodhi ngjarja dhe cilat janë pistat që po hetohet?

57- vjeçari u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij, të parkuar në një rrethrrotullim vetëm pak metra larg postbllokut të policisë në Fier.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës pak pas orës 20, kur në zonë kishte ende shumë kalimtarë. Backa mori plagë të rënda dhe humbi jetën në spital.

Policia nuk jep detaje për hetimet apo se kush u mor në pyetje, ndërsa mësohet se një prej pistave është dhe konflikti i biznesmenit Backa me një tjetër person djali i të cilit ka ngacmuar pak kohë më parë mbesën e viktimës.

Pista tjetër lidhet me vrasjen e motrës së viktimës në vitin 1998, por edhe përfshirja e viktimës në një konflikt për tokën me banorët e zonës në bregdetin e Darzezës.

Top Channel