Veliaj pret basketbollistët e Tiranës, u shpallën kampionë në Kupën e Federatës: Është vetëm kupa e parë nga shumë të tjera

24/10/2021 13:22

Tirana ishte ekipi fitues i Kupës së Federatës së Basketbollit për Meshkuj 2021. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka pritur kampionët e turneut të basketbollit, u shpreh krenar për këtë fitore dhe u ka uruar atyre fitore edhe në ligat e tjera.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme sot që pres kampionët e Tiranës në basketboll. E filluam me kupën e Federatës dhe mezi pres që të jetë vetëm e para në shumë kupa dhe shumë arritje. Është jo vetëm ekipi më i mirë i Shqipërisë, por edhe ekipi me çunat më të mirë, se nuk mjafton vetëm të jesh sportist, ose artist i mirë, por duhet mbi të gjitha të jesh qytetar i mirë. Këta çuna janë fillimisht qytetarë të mirë e pastaj sjellin dhe kupat”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku përgëzoi edhe nismën më të re të biznesit për sponsorizimin e skuadrave të basketbollit, duke nxitur të njëjtën gjë edhe për sipërmarrës dhe ekipe të tjera.

“E vlerësoj shumë që Neptun është bërë sponsor i skuadrës sonë të Tiranës. Ka zgjedhur ekipin e duhur në momentin e duhur, kur edhe ne po bëjmë maksimumin për sportin dhe i kemi dhënë vëmendje si kurrë më parë, por kemi nevojë edhe për privatin. Ndaj jam shumë i lumtur që Neptun e hap këtë risi, por ne kemi dhe ekipe të tjera. Nëse ka sipërmarrje, apo biznese të tjera që duan të jenë sponsor gjeneral, le ta bëjnë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Federata Shqiptare e Basketbollit vendosi të rikthejë Kupën e Federatës në sezonin 2021-2022. Ky turne nuk zhvillohej në vendin tonë prej pesë vitesh.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel