Turqia çmonton celulat e spiunëve të inteligjencës izraelite Mossad në vend (video-foto)

21/10/2021 15:30

E përditshmja turke ‘Sabah’ shkruante sot se është finalizuar operacioni me rreth 200 oficerë të inteligjencës vendase që kanë neutralizuar një rrjet të spiunazhit famëkeq izraelit Mossad, të cilet mblidhnin informacione mbi qytetarë që hynin në Turqi, si studentë palestinezë apo anëtarë të grupeve të shpallura të jashtëligjshme nga Izraeli.

Sipas raportimeve 15 të dyshuar si spiunë u arrestuan këtë muaj nga autoritetet turke.

E përditshmja turke Sabah, e afërt me pushtetin në Turqi , tha se arrestimet ishin kryer më 7 tetor pas një operacioni një-vjeçar mbikqyrjeje nga inteligjenca e vendit.

Spiunët me origjinë arabe vepronin në grupe prej tre personash dhe disa prej tyre ishin takuar me agjentë të Mossad në Kroaci e Zvicër, ku këmbenin informacionet dhe shpërblimet.

Ata kishin marrë gjithashtu urdhra nga kryeqyteti rumun Bukuresht dhe ai kenian Nairobi.

Sabah shkruan se pesë grupet operonin në vendndodhje të ndryshme të Turqisë.

Të dyshuarit i kishin dhënë Mossad informacion mbi studentë turkë e të huaj, kryesisht palestinezë, mbi vendet ku ata priteshin dhe ku shoqëroheshin.

Inteligjenca turke zbulonte sesi spiunët paguheshin, disa prej të cilëve në kriptovaluta, dhe të tjerë me transferta parash ose metale të çmuara.

Mes të mbikqyrurve kishte anëtarë të grupit Hamas që është në pushtet në Rripin e Gazës, për të cilët Izraeli është ankuar dhe më herët se strehohen në Turqi.

Në gusht 2020, presidenti turk Rexhep Erdogan është takuar me një delegacion të Hamas ku përfshiheshin persona të kërkuar nga SHBA.

Takimi u dënua asokohe nga SHBA ndërsa Turqia refuzoi kritikat duke quajtur Uashingtonin “shërbëtor të interesave të Izraelit”.

FOTO GALERI
1/5
Tre nga spiunet e arrestuar

Top Channel