Protestuesi që grisi imazhin e Fidel Castro dënohet me 10 vjet burg në Havana (video)

21/10/2021 16:08

Gjykatësit në Kubë kanë dënuar dje më 10 vjet burg Roberto Pérez Fonseca, i cili protestonte kundër qeverisë në 11 korrik dhe bashkë me të tjerë grisi një imazh të liderit të ndjerë vendas Fidel Castro.

Tre gjykatësit e San José de las Lajas, pranë Havana, dënuan Pérez Fonseca prishje të rendit publik, nxitje në krim dhe sulm.

Dënimi është më i rëndi i dhënë në vendin ishullor për protestat e pazakonta anti-qeveritare të korrikut.

Dokumentet nuk përmendin pjesëmarrjen e Pérez Fonseca në grisjen e imazhit të Castros, por të afërmit e tij thanë se ky është motivi i vërtetë i vërdiktit ekstrem.

38 vjeçari Fonseca, baba i dy fëmijëve mbahet në burg që prej arrestimit të tij.

E përditshmja amerikane ‘Miami Herald’, tha se çështja kundër Fonseca bazohej vetëm në dëshminë e një oficeri vendas, Jorge Luis García Montero.

Avokatja e tij Laritza Diversent, tha: “Nuk janë respektuar rregullat e një procesi të plotë gjyqësor. Është vetëm fjala e tij kundër fjalës së një polici, dhe sipas ligjit kuban provat e krimit nuk mund të merren vetëm nga autoritetet”.

Grupi vendas i të drjtave Cubalex thotë se ka dokumentuar 1,124 arrestime në lidhje me protestat e korrikut.

“Ky është një dënim ekzemplar që kërkon të trembë popullatën, para marshimit të radhës të thirrur më 15 nëntor”, shtonin ata.

FOTO GALERI
1/3
Gjykatësit në Kubë kanë dënuar dje më 10 vjet burg Roberto Pérez Fonseca, i cili protestonte kundër qeverisë në 11 korrik

Top Channel