Një nënë nga qyteti i Beratit, ka denoncuar në emisionin Fiks Fare, dhunën që i ka ushtruar bashkëshorti i saj për 13 vite me radhë.

Dhunë e cila ka sjell edhe ndarjen më vonë, por tashmë problemi qëndron tek dy fëmijët e mitur të çiftit. Sipas denoncueses prej 13 vitesh ish bashkëshorti i saj e dhunonte sistematikisht edhe në sy të fëmijëve. Dhuna sipas saj kishte ardhur si pasojë se ish burri ishte i alkoolizuar, luante kumar dhe nuk punonte rregullisht për të përmbushur detyrimet familjare. Dhunë sipas denoncueses është ushtruar nga ish burri edhe kundrejt fëmijëve të mitur. Madje denoncuesja shkon edhe më tej ku shprehet se edhe kunati vjehrra edhe kunata kanë ushtruar mbi të dhunë fizike dhe psikologjike.

Pas ndarjes ish bashkëshorti e kishte përzënë nga shtëpia, ndërsa nuk i jepte dy fëmijët. Që me vendim gjykate i ishin lënë në kujdestari nënës. Por e dhunuara bën akuza të forta edhe kundrejt policisë, pasi sipas saj ish bashkëshorti ndihmohej nga inspektori i rendit që mos të zbatohej vendimi i gjykatës. ” Ai kishte miqësi me inspektorin se pinin nga një gotë bashkë dhe ky i fundit më thoshte që nuk ka vendim që t’i lë ty fëmijët” shpjegon denoncuesja.

Në këto kushte nëna i është drejtuar Zyrës së Përmbarimit Berat, ku sëbashku me dy përmbarues, inspektorin e policisë së zonës paraqiten pranë banesës së dhunuesit. Fillimisht përmbaruesit kanë nxjerrë sendet dhe rrobat e fëmijëve nga shtëpia e të atit, dhe më pas kanë pritur ardhjen nga shkolla të fëmijëve si dhe prezencën e psikologes së bashkisë.
Pikërisht ndërsa përmbaruesit po prisnin që të ndërhynin për të marrë fëmijët, ka qenë inspektori i policisë së rendit i cili ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, ku sipas tij në vendimin e gjykatës nuk ishte shkruar se fëmijët i liheshin nënës. Por ka hasur në reagimin e përmbaruesve të cilët i kanë kërkuar të zbatojë ligjin dhe të mbështes ata në zbatimin e vendimit të gjykatës. Sipas përmbaruesve këtë vendim duhej ta kishte ekzekutuar policia. “Ne po vijmë për herë të dytë, pasi nuk u zbatua nga ata që duhet, dhe po ju thërrasim që ta zbatojmë bashkë”. Ndërsa inspektori i rendit u shpreh ” nuk ju takojnë fëmijët. Më thellë nuk futem unë. Këtu nuk thotë policia të ndërmarrë këtë apo atë veprim” shprehet ai.

Fëmijët kthehen nga shkolla bashkë me të atin dhe në momentin e ndërhyrjes nga ana e Përmbarimit, vajza e tyre 12 vjeçare ka kërkuar që mos të shkonte tek e ëma. Por kur psikologja e pyet se ti ke qarë për mamin shumë herë në zyrën time e mitura përgjigjet ” po kam qarë se e dua, ama i dua të dy”.

Më pas psikologja ka bërë një takim të veçantë me fëmijët dhe në përfundim është vendosur që djali të shkojë me të ëmën në ato momente, ndërkohë që më vajzën u ra dakord të shkonte ditën tjetër tek nëna e saj.

Një ditë më pas denoncuesja së bashku me gazetarët e Fiksit kanë takuar psikologen e shkollës, ku mësonin dy fëmijët e mitur. Nëna dy fëmijëve ka kërkuar informacion mbi gjendjen e vajzës së saj, pasi psikologja e shkollës kishte biseduar disa herë. Kjo sipas nënën është se halla e vajzës është psikologe në një tjetër shkollë, dhe mund të ketë ndërhyrë tek kolegia e saj duke i kërkuar që të bisedonte me vajzën disa herë.

Në bisedë me denoncuesen psikologja e shkollës pranon se njihet me hallën e të miturës , madje kishin folur edhe në telefon gjithmonë për të mirën e vajzës. Sipas psikologes së shkollës ka qenë vajza që ka kërkuar të flasë me të, por mohon faktin që halla apo ajo të kenë ndikuar në përzgjedhjen e fëmijëve tek njëri nga prindërit. Sipas psikologes ajo kërkon më të mirën për fëmijën dhe nuk mund ta shkelë për asnjë lloj arsye apo njeriu etikën profesionale. Ndërkohë që në bisedën me psikologen e bashkisë vajza ka qarë për nënën duke treguar se e ka marrë shumë malli.

FOTO GALERI
8/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA