Studentët e arteve janë të vaksinuar/ Mësimi nis normalisht. 90 për qind e studentëve janë të vaksinuar

19/10/2021 19:49

Pjesa më e madhe e studentëve në universitetin e arteve janë të vaksinuar, duke u konsideruar si institucioni i arsimit të lartë më shembullor në zbatimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa studentët e pavaksinuar që nuk paraqesin test negativ nuk janë pranuar në auditore.

“Unë e kam bërë vaksinën në fund të shtatorit të isha gati për mësim. Me kokrra janë ata që nuk e kanë bërë, me sa informacion kam rreth 90% e klasës janë të vaksinuar. Unë nga shokët e mi nuk kam njeri të pavaksinuar”, shprehen studentët.

Megjithatë pika e vaksinimit vijon të jetë e hapur në universitetin e arteve e do të qëndrojë kështu në të gjitha njësitë universitare javën e parë të vitit akademik për studentët e pavaksinuar të cilët veç vaksinës Astrazeneca dhe Sinovac kanë mundësi të zgjedhin nga sot edhe Pfizer.

“Sot është përfshirë dhe Pfizer. Të gjashtë studentët që janë vaksinuar kanë zgjedhur Pfizer. Këshilla ime është e qartë: vaksinohuni se kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur veten, familjen dhe shoqërinë!”.

Top Channel