Teksa Shqipëria po përpiqet të zbërthejë arsyet e vdekjes së njëkohshme të katër turistëve ruse Sergeit, Natalisë, Ekaterinës dhe Nikitës, Rusia ende nuk ka paraqitur një kërkesë për tërheqjen e trupave të të ndjerëve.

Përpos interesimit dhe ndjekjes së autopsisë edhe nga përfaqësues të ambasadës ruse, sipas burimeve pranë mjekësisë ligjore me interes për hetimin do të ishin përgjigjet e institutit të shëndetit public. Aty deklarohet se janë përcjellë mostra nga uji i pishinës jashtë të cilës u gjetën të pajetë katër rusët, mbasi pretendohet të kuptohet se sa e lartë ishte sasia e klorit, çka do të zgjidhte përfundimisht pyetjen nëse mund të ndërrojnë jetë 4 persona brenda një ore si të helmuar nga avujt e klorit?

Ekspertiza në gjak pritet të zgjasë së paku tre javë, për të konfirmuar nëse katër qytetarët rusë ndërruan jetë nga helmimi me klor apo nga shkaqe të tjera, ndërkohë që të gjithë shtetasit që gjendeshin në të njëjtin grup me turistë dhe që udhëtuan me familjen Burenkov dhe dhëndrin e tyre kanë ndërprerë pushimet dhe pas dhënies së dëshmisë janë kthyer në vendin e tyre. Prokuroria e Kavajës konfirmon se çështja i është referuara për vrasje në rrethana cilësuese dhe për këtë arsye për shkak të eksperimenteve hetimore dhe kontrolleve të rrepta dy dhomat ku qëndruan 4 turistët si dhe jakuzi qëndrojnë të bllokuara dhe të administruara si vendngjarje.

Ndërkohë, mediat ruse njoftojnë se Kryetari i Komitetit Hetimor ka udhëzuar Drejtorinë Kryesore të Hetimit dhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare që me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të sigurojë informacion nga autoritetet shqiptare për të raportuar mbi rrethanat e 4 vdekjeve tragjike.

Top Channel