Atmosfera zgjedhore në komunat e banuara me shumicë serbe po del të jetë pikë e zezë në vlerësimin e Bashkimit Evropian edhe për zgjedhjet e 17 tetorit.
Shefi i misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, Lukas Mandl, në publikimin e raportit preliminar tha se zgjedhjet lokale kanë qenë të organizuara mirë dhe janë respektuar të drejtat gjatë fushatës.
Por, ky vlerësim doli të mos jetë i njëjtë edhe për komunat e banuara nga serbët, për të cilat Mandl tha se ka pasur kërcënime dhe presion nga kandidatët e Listës Serbe.
“Administrimi përfshirës transparent dhe profesional ka bërë të mundur që përgatitjet zgjedhore të përfundojnë brenda afateve ligjore dhe administrimi i zgjedhjeve është parë nga palët e interesit si i pavarur, dhe i besueshëm.
Lista Serbe ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës dhe siç kanë përmendur disa misione të vëzhgimit të BE-së ka pasur raste të kërcënimit dhe presionit nga kandidatet e Listës Serbe dhe aktivistët e tyre”.
Ndërsa udhëheqësja e delegacionit të anëtarëve të Parlamentit Evropian, Viola von Cramon tha se Kosova është shembull i demokracisë në rajon.
“Këto zgjedhje komunale kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë me një debat të vërtetë mes kandidatëve dhe partive politike që propozojnë politika alternative. Sot, më shumë se kurrë Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për rajonin”.
Raporti preliminar po ashtu thotë se pluraliteti i garuesve ka ofruar për votuesit zgjedhje të vërtet, por gratë kanë qenë të nën përfaqësuara në garë për kryetare komune dhe në strukturat e partisë.
Po ashtu, raporti hedh kritika mbi mungesën e transparencës të financimit të fushatës politike.
Top Channel