Viti i ri akademik 2021-2022 ka nisur me tensione sot në disa fakultete të vendit, pas kushtit të hyrjes me vaksinë COVID-i ose test negativ.

Studentët e pavaksinuar janë përplasur me tre policët e vendosur në hyrje të godinës së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë sot me nisjen e vitit të ri akademik.

Ata që kanë pasur dokumentin e vaksinimit ose të tamponit negativ kanë hyrë të qetë, por ata që nuk i kanë plotësuar kushtet janë lënë jashtë duke hasur kundërshtime.

Ndërsa në hyrje të Fakultetit të Ekonomisë studentët janë kontrolluar nëse janë vaksinuar apo kanë kryer testin e COVID-it.

Një roje ka kontrolluar çdo student në hyrje nëse është pajisur me dokumentin përkatës.

Në Universitetin Politeknik të Tiranës gjithashtu ka pasur kontrolle që në hyrje dhe të pavaksinuarit e studentët që nuk kanë pasur një dokument se kanë kryer test COVID janë lënë jashtë godinës.

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan shumica janë të pavaksinuar, disa me maska e disa jo, ndërsa askush nuk është  kujdesur për distancën fizike. Në Universitetin e Elbasanit llogaritet të jenë vaksinuar rreth 30% e studentëve.

Disa prej fakulteteve kanë bërë përjashtim, duke lejuar të hyjnë edhe studentët që nuk plotësojnë kushtet.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha një ditë më parë se rreth gjysma e studentëve t universitetit është vaksinuar.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.

Mësohet se pikat e vaksinimit do të qëndrojnë hapur edhe në javën e parë të nisjes së vitit akademik, edhe pse një ditë më parë sipas inspektimit të Top Channel, ishin të mbyllura.

Sipas rektorit, sot hyjnë ata që kanë bërë vetëm një dozë, por çfarë do të ndodhë këtë të hënë me studentët e pavaksinuar që nuk tregojnë tamponin negativ, është ende e paqartë.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel