Shtohet misteri i sulmit në Norvegji/ Viktimat u goditën me thikë jo me shigjeta (fotot)

18/10/2021 20:30

Sulmuesi ishte i armatosur me hark dhe shigjeta, por pesë njerëzit që vdiqën ishin goditur në fakt me thikë, ka konfirmuar sot policia në Norvegji.

Katër gra dhe një burrë të moshave nga 52 deri në 78 vjeç u vranë të mërkurën që shkoi në Kongsberg, 70km larg kryeqytetit norvegjez Oslo.

Sulmuesi i armatosur me hark e shigjeta kishte goditur disa njerëz, duke plagosur të paktën një, por kreu vendor i policisë Per Thomas Omholt tha për gazetarët se asnjë nga vdekjet nuk ishte shkaktuar me këtë armë.

“Pesë viktimat ishin vrarë me armë tehu të mprehtë,” tha Omholt në konferencën e sotme të shtypit, pa cilësuar nëse ishin thika apo armë më të mëdha.

“Disa ishin vrarë brenda shtëpive të tyre, disa të tjerë në publik,” shtoi Omholt.

Tre njerëz të tjerë ishin plagosur në sulm, duke përfshirë dhe një oficer policie jashtë detyre, i cili u godit me shigjetë harku në fillim të sulmit 35-minutësh.

Sipas policisë të paktën “dhjetë” njerëz u goditën me shigjeta harku në fillim të sulmit, por “në një pikë gjatë sulmit vrasësi ka hedhur harkun me shigjetat duke vijuar me mjete të tjera”, tha Omholt.

Policia shtoi se po intervistonte dëshmitarët, teksa shtonte: “Gjithçka sinjalizon se viktimat ishin zgjedhur në mënyrë të rastësishme,” tha Omholt.

Policia tha fillimisht burri i armatosur me hark e shigjeta kishte kryer vrasjet, ndërsa më vonë shtuan se kishte dhe armë të tjera të përfshira.

Omholt nuk shpjegoi se përse policisë iu nevojitën gjashtë ditë për të sqaruar situatën.

I dyshuari i vetmë i ngjarjes, i identifikuari si 37 vjeçari Espen Andersen Bråthen, po merret në pyetje në një institucion psikiatrik.

Sulmi ishte më i rëndi në Norvegji që prej masakrës së 2011, kur ekstremisti i djathtë Anders Behring Breivik vrau 77 njerëz, shumica e të cilëve adoleshentë, në një kamp pushimi për të rinjtë e partisë në pushtet.

FOTO GALERI
1/3
Mjekesia ligjore ne skenen e sulmeve

Top Channel