Arrestohet ish-kreu i Kadastrës së Vlorës/ Akuzohet për shpërdorim detyre, në shtëpi iu gjetën 60 mijë euro

18/10/2021 15:34

Pavarësisht arrestimit të ish drejtorit të Kadastrës së Vlorës Klodjan Troci, banorët e këtij qyteti ankohen se në këtë institucion ka ende korrupsion.

Nuk është ndërhyrë si duhet, thotë Fatosh Myslymi që prej 8 vitesh sorollatet zyrave të kësaj Kadastre.

Më duket sikur shteti ka lëvizur pak, por duhet të lëvizë më me forcë. Kjo është e vonuar. Ai më grabiti pronën mua dhe ma shiti në bashkëpunim me firmën. Ma ka mbajtur shtatë muaj nën sekuestro pronën. Është edhe një juriste aty që ka tre vite që ka dalë në pension, por është dora e djathtë e këtij. Ajo i ka bërë tërë të këqijat”, tha Myslymi.

Ndërsa një qytetar nga Mallakastra tha se i kanë kërkuar 1 mijë euro vetëm për të tërhequr certifikatën e pronësisë.

Te kjo hipotekë duhet një që ta shkulë nga themeli. Nga 2014 edhe sot unë përsëri jam pa legalizim. Më jep 1 mijë euro që të vijë certifikata. Por unë ato para s’i jap kurrë. Më mirë do i prish vetë shtëpitë, se të jap ato para”, tha qytetari nga Mallakastra.

Një tjetër banor i Ujit të Ftohtë tha se ka 27 vjet që endet zyrave të Kadastrës.

Jemi 123 familje në Ujit e Ftohtë dhe unë personalisht kam 27 vjet që sorollatem dhe tani nuk e di se çfarë do të bëj. Tokën tonë do ta zënë të tjerët dhe s’dimë se ku do të vëmë”, tha ky banor i Ujit të Ftohtë.

Ish-drejtori i Kadastrës Klodian Troci u arrestua pasi akuzohet për tjetërsimin e disa pronave në Dhërmi, si dhe ju sekuestruan 65 mijë euro në banesë.

Në këtë institucion gjatë viteve të fundit janë ndërruar disa drejtorë ku shumica e tyre janë dorëhequr.

Top Channel