U gjet i ekzekutuar buzë lumit Shkumbin, identifikohet viktima me dy emra, ish-anëtar i bandës së Lushnjes

17/10/2021 16:26

Policia ka mundur të identifikojë trupin e pajetë të gjetur buzë lumit Shkumbin ditën e sotme, në lagjen Çezmë të Peqinit.

Mësohet se viktima është 38-vjeçari Alban Semaku (Mermali), anëtar i bandës së Lushnjes, i njohur ndryshe me pseudonimin “Kinezi”.

Alban Semaku, banues në Lushnjë, deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali.

Në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.

Më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj tij iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, një krehër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.

Me vendimin e datës 16.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Lushnjë është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja” dhe është liruar nga burgu 06.05.2021, pasi ka vuajtur dënimin në I.E.V.P Peqin.

‘Kinezi’ ishte pjesëtar i bandës së Lushnjes, që është ndër të parat që kishte një organizim të mirë strukturuar në formë piramide.

Grupi në total numëronte mbi 100 anëtarë, me në krye Aldo Baren, i cili ishte udhëheqësi me autoritet absolut. Fjala e tij nuk diskutohej por thjesht zbatohej. Ai thirrej “Kryetari”, “I madhi”, “Plaku” dhe “Profesori”.

Pranë tij, si njerëz që shpërndanin dhe zbatonin detyrat e “profesorit” ishin Enver Dondollaku, Erjon Cici, Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Edjan Xhafa, Maksim Çela dhe Leonard Prifti që ishte vrasësi me i besuar i Bares, Afrim Hoxha, Enver Boriçi, Dritan Vila, Petrit Liçi, Erion Kashari, Arjan Aliço, Alxhi Nallbani, Elton Mermali, trupi i të cilit u gjet sot pa shenja jete pranë lumit Shkumbin, etj.

Aktivitetet e grupit ishin trafiku i drogës dhe i qenieve njerëzore që përbënin burimin kryesor të perandorisë ekonomike të bandës.

Top Channel