Për Besmirën nuk ka avokat më të mirë sesa babai edhe atëherë kur ai nuk zotëron diplomën e juristit.

Kur atë e larguan nga puna, i ati Ramazan Doci, me profesion zooteknik udhëtoi menjëherë nga Dibra në Tiranë, për ta përfaqësuar atë në gjykatë, bazuar mbi eksperiencën e jetës së tij.

“Sot kam gjyqin e vajzës, përvoja ime ndonëse s’jam avokat është nga përvoja e jetës se më kanë larguar shpesh nga puna”, u shpreh Doci.

Me një prokurë përfaqësimi, 71-vjeçari hapi procesin duke paditur punëdhënësin e Besmirës.

‘I thashë vajzës do të përfaqësoj unë, ja sot kam përfaqësimin. Punëdhënësit gabojnë nga inati dhe aty shkelin kodin’, u shpreh më tej babai i vajzës.

Përvojën e parë të pushimit nga puna e kaloi në vitin 2002. Aty vendosi të mbrohet vete, duke nisur nga leximi i kodit të punës.

‘E përvetësova kodin, fitova gjyqin, pastaj më hoqi ndërmarrja tjetër, prapë e fitova gjyqin dhe pastaj hapa gjyqe se s’më jepnin paratë. Nga 17 gjyqe kam humbur vetëm një, të pensionit dhe atë e kam në apel”, u shpreh Doci.

Paditë ndaj largimeve të padrejta nga puna janë më të zakonshmet në gjykatat civile dhe më së shumti në administrative. Por Ramazani ja ka dalë pa qenë avokat!

Top Channel