Nesër nis mësimi në universitet/ Pak të vaksinuar në një javë. Sot pikat pranë fakulteteve ishin mbyllur

17/10/2021 19:30

Pikat e vaksinimit të ngritura pranë fakulteteve, edhe pse jemi një ditë para nisjes së vitit të ri akademik , sot janë të mbyllura.

Stafi mjekësor së bashku me atë akademik këtë të dielë ishin pushim, edhe pse numri i studentëve të pavaksinuar është i lartë por mësohet se pikat e vaksinimit do të qëndrojnë hapur edhe në javën e parë të nisjes së vitit akademik.

Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, rreth gjysma e studentëve të këtij universiteti është vaksinuar
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.

“Nuk jemi vaksinuar. Dhe themi që nuk do e bëjmë. Nesër nuk do shkoj në mësim derisa të ndryshojnë mendje. Të mos jetë ky vendim. Na kanë thënë që s’do pranoheni në mësim të pavaksinuar, me tampon shpenzojmë shumë nuk kemi mundësi si student”, shprehen studentët.

Institucionet e arsimit të lartë njoftojnë studentët që nuk do të pranohen brenda ambienteve universitare në rast se nuk paraqesin kartën e vaksinimit, ose testin negative ose një vërtetim nga mjeku për problematikë shëndetësore që nuk kryhet vaksina.

Sipas rektorit, të hënën hyjnë ata që kanë bërë vetëm një dozë, por çfarë do të ndodh të hënën në 18 tetor me studentët e pavaksinuar që nuk tregojnë tamponin negativ, kjo është ende e paqartë dhe vendimi do të merret pas përballjes me ta.

Top Channel