FOTO/ Gjendet i ekzekutuar me armë zjarri në Peqin, ky është Alban Semaku, ish-anëtari i bandës së Lushnjes

17/10/2021 16:50

Ky është Alban Semaku, por të gjithë e njohin me emrin që mbante deri në vitin 2011, Elton Mermali, i njohur ndryshe me pseudonimin “Kinezi”, ish anëtar i bandës së Lushnjes.

Viktima u gjet i vrarë me armë zjarri mesditën e sotme buzë lumit të Shkumbinit në rrethana ende të paqarta.

Emri i 38-vjeçarit nga Lushnja është i njohur për autoritetet e drejtësisë, pasi akuzohet për disa vepra penale.

38-vjeçari u ekzekutua vetëm 5 muaj pas daljes nga burgu, pasi në vitin 2015 ai u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg për prodhim e shitje droge.

Viktima në vitin 2003 a u dënua me burg si autor i një vrasje në Lushnje, e kryer në kuadër të bandës kriminale ku bënte pjesë. Pas ngjarjes, Semaku u arratis drejt Italisë, po u kap pas 3 vitesh në vendin fqinj dhe u ekstradua në Shqipëri.

Ndërkohë, më datë 16.03.2015 ai u arrestua në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, kanosi për jetën, me armë zjarri një person.

‘Kinezi’ ishte pjesëtar i bandës së Lushnjes, që është ndër të parat që kishte një organizim të mirë strukturuar në formë piramide.

Grupi në total numëronte mbi 100 anëtarë, me në krye Aldo Baren, i cili ishte udhëheqësi me autoritet absolut. Fjala e tij nuk diskutohej por thjesht zbatohej. Ai thirrej “Kryetari”, “i madhi”, “Plaku” dhe “Profesori”.

Aktivitetet e grupit ishin trafiku i drogës dhe i qenieve njerëzore që përbënin burimin kryesor të perandorisë ekonomike të bandës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel