Nëntë vjedhje të energjisë elektrike në 4 qytete të Shqipërisë/ Arrestohen 2 persona, ndërhynë në matësit elektrikë

16/10/2021 19:14

Dy persona janë arrestuar, një është shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë janë proceduar penalisht sepse akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike.

Nëntë raste të vjedhjes së energjisë elektrike janë konstatuar nga kontrollet e OSHEE me strukturat e policisë së Shtetit në Tiranë, Shkodër, Dibër dhe Krujë. Ata kishin ndërhyrë në matësit elektrikë në banesat e tyre për të vjedhur energjinë elektrike.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 është arrestuar në flagrancë shtetasi E. P., banues në Tiranë, ndërsa nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 është arrestuar në flagrancë shtetasi K. D., banues në Kamzë.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë është shpallur në kërkim shtetasi S. B., banues në Kavajë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër kanë proceduar penalisht shtetasit B. H., S. B. dhe K. Q., banues në Shkodër.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë është proceduar penalisht shtetasi Gj. L., banues në Lezhë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat është proceduar penalisht shtetasja S. S., banuese në Klos.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë është proceduar penalisht shtetasi P. N., banues në Gramz.

Strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.

Top Channel