Ish-kandidati për deputet i LSI-së në zgjedhjet e 25 prillit Etion Joka është arrestuar këtë të shtunë nga policia. Ai u akuzua për korrupsion, duke iu referuar disa videove në të cilat shfaqej teksa ofronte shuma parash në këmbim të votës.

Joka ishte shpallur në kërkim nga SPAK, ndërsa GJKKO kishte caktuar masën arrest me burg.

I renditur i 22-ti në listat e LSI-së në Tiranë, kandidati Etion Joka shfaqet me zë në një video e cila është publikuar në Top Channel, teksa i jep 100 dollarë një qytetari që është angazhuar të mbledhë vota për LSI-në.

Po ashtu në të njëjtën video, një person i quajtur Edison Babo vijon pazaret ku premton punësim për qytetarin pas zgjedhjeve, ndërsa përmend dhe kryetaren e LSI.

“Më tha Monika ke taku diamant. Jam diamant. Ik fol me Moniken. Se do t’i mbushi ajo Monika veçse se ka thënë po. I mbushi kto tha. Se Xuri ia mer kalamajt nuk i sheh më Monika. Me mua nuk kalojnë ato shok. Mori bodigardin e Berishës në tel, Ermalin. Mali si je. Ai o Xurro ku je mo, do të ndihmojë vëllai. I thotë Xurri sa më premto? Njëmijë i thotë. Thua Doktorit ka thënë Xurri njëmijë po në të gjithë Shqipërinë.
Gëzim i madh, andej nga treshi bëhet nami , për 5 min të marrësh 60 mijë lekë, i kap i fut në makinë të votojnë”, thotë Babo.

“Nga specialistët për Hetimin e Korrupsionit u bë ekzekutimi i vendimit penal, për shtetasin E. J, 32 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, sipas policisë.

Por çfarë deklaronte kandidati i LSI-së, një ditë përpara hapjes zyrtare të fushatë zgjedhore për votuesit e njësisë 1 në Tiranë?

Me energji dhe të vendosur për ndryshimin, që nuk e shesin besimin për 5 mijë lekë, nuk tuten para çdo presioni, refuzojnë mashtrimet, premtimet e dala boje dhe arrogancën. Guximi në sytë e tyre është garancia për Shqipërinë, për shtëpinë tonë”.

Por, gjatë fushatës gjithçka mori rrjedhë tjetër.

Etion Joka, i bleu votat e elektoratit me pretendimin se do ta mbështesin në kutitë e votimit.

Videopërgjimi vuri në pranga edhe Edison Babën, sekser, i cili premtonte vende pune pas zgjedhjeve nëse LSI do të fitonte.

Në atë bisedë përmendet edhe bodyguard-i i ish kryeministrit Berisha.

Top Channel