Turisti britanik merret peng për €7,000 nga të rinjtë në Itali, shpëton pas mesazhit sekret ndaj të atit (fotot)

15/10/2021 17:32
Ai u shpëtua nga njësia e policisë ushtrake të Karabinierëve që arrestoi tre burra dhe një grua

Një turist britanik është marrë peng dhe mbajtur për tetë ditë gjatë një vizite në Itali, por arriti të shpëtonte duke dërguar një mesazh sekret për babanë e tij.

25-vjeçari nga Londra që s’është identifikuar publikisht të mërkurën u gjet i lidhur dhe i zbathur në një apartament.

Ai u shpëtua nga karabinierët, ndërsa për ngjarjen policia ka arrestuar katër persona, tre burra dhe një grua. Ata do të përballen me akuzat për pengmarrje dhe zhvatje.

Viktima po vizitonte vende të ndryshme në Itali që prej muajit qershor, derisa u mor peng nga dy shtetas italianë dhe dy afrikanë, të cilët ishin në një moshë të përafërt me vetë viktimën, shkruan The Times.

Mësohet se ata e kishin detyruar atë t’i kërkonte të atit shtatë mijë euro, por siç duket, i riu kishte arritur ta sinjalizonte të atin në lidhje me ngjarjen.

Ai është një djalë inteligjent”, tha për 25-vjeçarin, koloneli i karabinierëve Massimiliano Mengasini, duke shtuar se babai i tij në Britani i ishte drejtuar policisë atje, të cilët menjëherë kishin nisur bashkëpunimin me autoritetet italiane.

Karabinierët përmes gjurmimit të celularit arritën të mësojnë vendodhjen e tij, i cili mbahej në një apartament në Monte San Giusto, në rajonin lindor të Marche.

Ata arritën ta gjenin atë në kushte të rënda psikologjike, i kequshqyer, por që s’shfaqte shenja të theksuara dhune.

Kur ai pa karabinierët ishte shumë i lehtësuar dhe i lumtur, sikur të kishte para syve një mrekulli”, tha Mengasini.

Autoritetet mendojnë se në lidhje me këtë ngjarje ka shumë pyetje që ende s’kanë marrë përgjigje.

Policia po mundohet të kuptojë se ku e gjetën viktimën e tyre dhe pse kërkuan vetëm 7 mijë euro.

Autoritetet nuk e kanë kuptuar ende faktin se si ata e lejuan gjurmimin e aparatit celular, me të cilin i riu arriti të komunikojë me të atin.

Karabinierët do të përgatisin një tjetër raport në lidhje me ngjarjen, ku sipas tyre, pritet të ketë më shumë detaje.

FOTO GALERI
1/3
Një turist britanik është marrë peng dhe mbajtur për tetë ditë gjatë një vizite në Itali

Top Channel