Tërmeti i fuqishëm që goditi ishullin e Kretës nxiti një alarm për tsunami dhe u pasua nga thirrje drejtuar si banorëve vendas, ashtu edhe turistëve të huaj që t’i qëndrojnë larg brigjeve, të paktën përkohësisht.

Dëshmitarët thonë se tërmeti i magnitudës 6.3 zgjati të paktën 20 sekonda. Nga lëkundjet e forta të paktën është shkatërruar një kishë e ka pasur dhe dëme të tjera materiale. Sizmologu i njohur Gerasimos Papadopoulos foli për dallgë tsunami, të cilat edhe pse nuk dukeshin aq të rrezikshme, mirë do të ishte sipas tij, që të mos i zinin njerëzit në breg.

Qendra Europiane Mesdhetare e Sizmologjisë e regjistroi epiqendrën e tërmetit 31 milje në juglindje të portit të Sitias. Disa minuta më vonë, në zonë u regjistruan dhe lëkundje të magnitudës 4.1 dhe 4.5. Nuk dihet ende nëse ka të lënduar. Përveç Kretës, i gjithë Egjeu jugor është tronditur, tha presidenti i Institutit Gjeodinamik Efthymios Lekkas, teksa pati raporte se toka është shkundur deri në Egjipt.

Vetëm dy javë më parë, një tjetër tërmet shkaktoi panik në ishull. Në këtë zonë duket ka pasur gjatë gjithë verës aktivitet sizmik me tërmete të vegjël, por fuqia e tyre ka ardhur duke u shtuar.

Top Channel