Singapori ka nisur të testojë në rrugët qytet-shtetit robotët e patrullimit për të kontrolluar njerëz që përfshihen në “sjellje të padëshirueshme shoqërore”, duke shtuar akoma më shumë arsenalin e mjeteve teknologjike të kontrollit e duke ngritur shqetësime për privatësinë e qytetarëve.
Që prej numrit masiv të kamerave të sigurisë, te shtyllat me teknologji të njohjes së fytyrës, Singapori po sheh një shpërthim të mjeteve gjurmimit të qytetarëve.
Në testimin e fundit të nisur kësaj jave, dy robotë janë dislokuar për patrullimin e një kompleksi të banuar dhe një qendre tregtare.
Zyrtarët vendas po shtyjnë për një “komb inteligjent”, super-efiçent, të udhehequr nga teknologjia, por aktivistët thonë se me kete po sakrifikohet privatësia individuale pasi njerëzit nuk kanë kontroll mbi të dhënat e tyre personale.
Robotët e fundit me rrota dhe shtatë kamera janë lëshuar për të zbuluar “sjellje të padëshirueshme anti-sociale”, sipas autoriteteve.
Kjo përfshin pirje duhani në zonat e ndaluara, parkim të gabuar të biçikletave por dhe shkelje të rregullave të distancimit të koronavirusit.
Një zë robotik që buçiste nga “koka” e makinerive policore thoshte: “Ju lutem ruani distancën 1 metër, ju lutem mos u grumbulloni më shumë se pesë vetë në një grup”, ndërsa kamerat e frikshme të makinerisë fiksoheshin te personat e dyshuar.
Frannie Teo, një studiuese 34-vjeçare që ecte në qendrën tregtare, tha: “Këto më kujtojnë filmin Robocop”.
Gruaja shtonte se pamjet i kujtojnë botën distopike (të dehumanizuar) të filmave të apokalipsit apo atyre me qenie aliene.
Qeveria mbronte përdorimin e robotëve patrullues duke thënë se ata nuk po përdoren për identifikim apo veprim kundër shkelësve, por ishin të nevojshëm për mungesën e njerëzve të policisë teksa popullata e vendit po plaket.
“Krahu i punës po zvogëlohet,” justifikohej Ong Ka Hing, i agjencisë qeveritare që ka krijuar robotët Xavier.
Ishulli ka rreth 5.5 milionë banorë dhe rreth 100 000 kamera policore, të cilët pritet të dyfishohen në vitin 2030.
Në një skandal të fundit të privatësisë në vend u zbulua se të dhënat e mbledhura të pandemisë së koronavirusit, mund të përdoreshin lehtësisht edhe nga agjencitë policore të vendit.
Pas zbulimit qeveria miratoi ligjin për kufizimin përkatës të përdorimit të tyre.
Por kritikët thonë se ligjet përsëri nuk ndalojnë mbikqyrjen e pakufizuar nga qeveria dhe se banorët e Singaporit nuk kanë asnjë kontroll mbi të dhënat që japin./The Guardian
Top Channel