Një ish-punonjëse e gjigandit të rrjeteve sociale Facebook, i tha sot kongresmenëve amerikanë se përmbajtja dhe aplikacionet e kësaj kompanie “dëmtojnë fëmijët, mbjellin përçarjen dhe dobëson demokracinë tonë”.
Frances Haugen, një 37 vjeçare ish menaxhere produkti e kompanisë e kthyer në denoncuese, kritikonte ashpër politikat egoiste të kompanisë në një seancë dëgjimore në Capitol Hill.
Facebook reagoi ndaj komenteve duke thënë se Haugen fliste për aspekte të kompanisë për të cilat ajo nuk ka njohuri.
Zhvillimi vjen mes kritikave në rritje të gjigandit të medias për abuzime me privatësinë, përmbajtjen e papërshtatshme dhe mungesën e rregullacionit.
Si kongresmenët republikanë e demokratë ishin sot të bashkuar për nevojën për ndryshime në platformë, në një pikë të rrallë dakordësie mes të dyjave.
Zonja Haugen tha më herët për rrjetin CBS News se kishte shpërndarë disa dokumente të brendshme të Facebook për mediat.
Ajo tha se dokumentet provojnë se kompania vendos fitimet para shëndetit mendor të përdoruesve, përfshi dhe fëmijët ose adoleshentët.
Në dëgjesën e sotme ajo tha: “Drejtuesit e kompanisë e dinë sesi ta bëjnë më të sigurtë për fëmijët Facebook dhe Instagram, por ata nuk e bëjnë këtë sepse vendosin fitimet e tyre astronomike para njerëzve”.
Ajo kritikonte kreun e kompanisë Mark Zuckerberg për kontroll pakufi të politikave dhe veprimeve, duke thënë se “askush nuk i kërkon llogari Markut, përveç vetes së tij”.
Ajo më pas vlerësonte shkëputjen e djeshme nga linja të Facebook për miliona përdorues në botë.
“Dje pamë që Facebook u hoq nga interneti,” tha ajo. “Nuk e di përse u shkëput, por di që për ato pesë orë Facebook nuk u përdor për të thelluar përçarjet, për destabilizimin e demokracive dhe për të bërë vajzat e reja të ndjehen keq me trupin e tyre”.
Facebook mohon akuzat e saj duke thënë se ka precedentë për sigurinë e tij, të vendopsura që prej zgjedhjeve të 2020.
Teksa gruaja fliste, drejtori i komunikimeve të kompanisë Andy Stone, tha në rrjet se ajo po pyetej për fusha të kompanisë ku nuk punonte dhe nuk kishte dijeni.
Kongresmenët e të dyja palëve shprehën kritika për Facebook gjatë seancës.
“Dëmet ndaj vetëvlerësimit të shkaktuara nga Facebook do të zgjasin për një gjeneratë të tërë,” tha senatori demokrat Richard Blumenthal. “Kompanitë ‘Big Tech’ përballen me një moment të së vërtetës si dikur korporatat e prodhimit të duhanit”.
Top Channel