Shkolla 9-vjeçare në Pezë merr emrin e inxhinierit Agron Hysenlliu, Veliaj dhe Ahmetaj përurojnë shkollën e pestë të rindërtuar në Tiranë

29/09/2021 12:28

Përurohet një tjetër shkollë e re, e cila i shtohet buqetës së 10 shkollave të ringritura vetëm këtë vit, pas rrënimit të tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Shkolla 9-vjeçare në Pezë të Vogël, e cila sot ka të njëjtin standard me atë të shkollave më të mira në kryeqytet, mban emrin e ish-drejtorit të Institutit të Ndërtimit, inxhinierit të ndjerë, Agron Hysenlliu, i cili humbi betejën me Covid-19 një vit më parë, duke lënë në mes projekte zhvillimi për shumë lagje e zona në Tiranë, një pjesë e të cilave u prekën nga lëkundjet e forta sizmike.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me zv/kryeministrin dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj, deputetin e PS, Toni Gogu dhe familjarë të inxhinierit Hysenlliu uruan nxënësit që nisin mbarë këtë vit arsimor në shkollën e re. Veliaj u shpreh se Agroni do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetit tonë. “Dita e sotme është patjetër një ditë përkujtimi – një ditë feste për nxënësit e shkollës, që do të mësojnë në këto ambiente fantastike, por edhe një ditë reflektimi. Do të jemi njerëz si Agroni, që bashkojmë, apo përçajmë? Që ndërtojmë si Agroni, apo që shkatërrojmë? Që duam pa kushte, apo që urrejmë sa të na vijë rasti? Unë them se jemi si Agroni, që, se është dita e parë, se është dita e fundit, punojmë me të njëjtin përkushtim, duke menduar se vepra jonë e fundit mund të jetë edhe më e bukur e më dinjitoze,” tha ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se i gjithë Projekti i Rindërtimit u shfrytëzua si një mundësi, e cila sot po finalizohet me 10 shkolla të hapura në të gjithë Tiranën, më të forta dhe më të mëdha se godinat e mëparshme. “Rindërtimi ishte një mundësi për t’i bërë gjërat më të mëdha, më të forta dhe më të bukura. Ndaj, më vjen mirë që e shfrytëzuam për të ndërtuar një shkollë më të fortë, më të bukur dhe më të madhe, siç vepruam me të 10 shkollat që hapen në Tiranë këtë javë. Janë 10 shkolla model. I filluam ato projektime me Agronin, të cilin do donim të ishte me ne sot, por ia arritëm, i çuam deri në fund. Ndaj, shpresoj shumë që do hyjmë në histori këtë vit, si një vit ku ne në një dorë në Tiranë hapëm 10 shkolla dhe 2 kopshte,” u shpreh Veliaj.

Zv/kryeministri Ahmetaj renditi disa nga risitë e këtij viti shkollor, ndër të cilat, mësimi i anglishtes që në klasë të parë, teksa tha se vitin tjetër po planifikohet edhe informatika po në klasë të parë. “Anglishtja në klasat e para është risia e këtij viti, një filozofi e tërë për të përgatitur një brez të ri që të jetojë me integritet dhe të konkurrojë në një Shqipëri të hapur, por dhe në një Europë dhe një botë të hapur. Sivjet po fillojmë një program shumë të madh të kodimit. Fillon me disa shkolla dhe akademi që vijnë nga Berlini, ‘Silicon Valley’. Por, ne na duhen 100 mijë kodues që të kapim nivelin e vendeve të zhvilluara. Ndaj vitin tjetër fusim mësimin e informatikës për fëmijët që në klasën e parë,” u shpreh ai, duke nënvizuar edhe faktin se sot 280 mijë nxënës nga klasa e para deri në klasën e nëntë marrin librat falas.

Shkolla e re në Pezë të Vogël “Agron Hysenlliu” ka një kapacitet prej 250 nxënësish. Në dy katet e saj godina ka 8 klasa me nga 24 nxënës, 2 klasa për parashkollor, 4 laboratorë kimie fizike, biologjie, bibliotekë, sallë mësuesish, dhomë mjeku dhe psikologu.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA