Del në gjyq shqiptari për vrasjen absurde të mësueses 28-vjeçare në Londër (fotot)

28/09/2021 15:15

Shoferi shqiptar i shpërndarjes së restoranteve ‘Dominoe’ ka mohuar sot vrasjen makabre të një mësueseje shkolle fillore në Londër.

36 vjeçari Koci Selamaj, u arrestua mëngjesin e të dielës në qytetin bregdetar Eastbourne, një javë pas gjetjes së trupit të 28-vjeçares Sabina Nessa, pranë shtëpisë së saj në juglindje të Londrës.

I dyshuari u shoqërua sot për seancën paraprake në gjykatën Willesden i shoqëruar nga një përkthyes shqiptar.

Selamaj doli në bankën e të akuzuarve me një pulovër gri dhe tuta sportive.

Kur u pyet si deklarohet për akuzën, avokati i  Selamaj, Aidan Harvey tha se do te deklarohet i pafajshëm.

Gjyqi i Selamaj do të nisë të enjten ndersa i akuzuari u dergua serish ne paraburgim.

Sabina kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në një bar mbrëmjen e të premtes 17 shtator, kur u sulmua barbarisht duke mbetur e vdekur.

Trupi i saj u gjet pasditen e nesërme në një park i mbuluar me gjethe.

Tragjedia ka shkaktuar zemërim të gjerë në Britani dhe ka ngritur debatin për sigurinë e grave në rrugët e qyteteve.

Sabina jepte mësim në shkollën fillore Rushey Green në Catford, gjithashtu në juglindje të Londrës.

Shkaku i saktë vdekjes së të resë nuk është publikuar ende por mediat thonë se ajo është goditur me një objekt të fortë në kokë.

Motra e saj Jebina Yasmin Islam tha: “Humbëm një motër të mrekullueshme, të dashur e të bukur, që u largua kaq shpejt. Na duket sikur jemi të bllokuar në një makth nga i cili nuk mund të shpëtojmë.

Ceremoni zie janë mbajtur në të gjithë Britaninë për të diplomuarën e  Universitetit të Greenwich,.

Një libër ngushëllimesh është hapur në parkun OneSpace ku vajza humbi jetën.

Detektivët kishin përdorur kamerat e sigurisë me njohje automatike të numrave të targave duke zbuluar adresën e tij në qytetin bregdetar pas kthimit nga Londra.

Një makinë gri Nissan Micra u mor nga policia për hetime të mëtejshme.

Ndërkohë një i dyshuar i tretë mbetet i arrestuar për vrasjen që tronditi Britaninë, teksa një 40-vjeçar dhe një 38-që u arrestuan, tashmë po hetohen në gjendje të lirë.

Një nga fqinjët e shqiptarit tha për mediat: “Ishte person i qetë, nuk fliste kurrë, shpërndante porosi ushqimi me makinën e tij”.

“Është me origjinë shqiptar, por nuk e kemi parë prej një muaji. Vinte këtu në dyqan për rimbushje të celularit dhe për sende të vogla. Ishte person i padëmshëm, mbante gjithmonë kokën ulur”.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/09/27/britani-shqiptari-i-dyshuar-per-vrasjen-e-mesueses-28-vjecare-nuk-shkonte-ne-shtepi-prej-nje-muaji-pamjet-deshmite-e-fqinjeve-fotot/

FOTO GALERI
1/13
Selamaj doli në bankën e të akuzuarve me një pulovër gri dhe tuta sportive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA