Foto ilustruese

Një shtetas italian u arrestua sot në doganën e Kakavijës, pasi paraqiti një kartë identiteti të rreme për të hyrë në vendin tonë.

25-vjeçari me iniciale G.C. do të hetohet për “Kalim të paligjshëm të kufirit”.
Po ashtu, nën hetim është vënë 60-vjeçari me iniciale A.T. pasi dyshohet se e ndihmoi italianin për të kaluar kufirin me dokument fallco.

Njoftimi i policisë:

Ndalohet një shtetas italian për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit”, si dhe procedohet një shtetas për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH kanë kapur shtetasin italian G. C., i cili ka hyrë në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu gjatë kontrollit personal të ushtruar nga shërbimet e policisë kufitare, iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kartë identiteti italiane e falsifikuar.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër u bë ndalimi i shtetasit G. C., 25 vjeç, banues në Itali, si dhe u procedua shtetasi A. T., 60 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se i ka dhënë ndihmë shtetasit G. C. për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Top Channel