Strehimi i afganëve për të përfituar nga SHBA? Rama për televizionin francez: Nuk është kaq e thjeshtë, na trokitën në derë…

25/09/2021 09:50

Strehimi i afganëve është një gjest solidariteti dhe një detyrë që Shqipëria ka ndaj të shkuarës së saj, sipas Edi Ramës.

Ashtu siç e ka theksuar kudo në intervistat për mediet shqiptare dhe të huaja, Rama tha për televizionin francez TV5MONDE se vendimi i vendit tonë për të strehuar shtetasit afganë nuk u bë me kërkesë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vendi juaj është vendosur në pararojë për pritjen e tyre, me kërkesë të SHBA. Po përpiqeni të përfitoni favore nga Washingtoni?” ishte pyetja e gazetares franceze.

Jo. Nuk është kaq e thjeshtë. Së pari, ne s’ua hapëm derën me kërkesë të qeverisë së SHBA-së.
E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë PO. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj historisë, ne jemi një vend mikpritës, një vend që, me krenari ka qenë vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi një vend që ka pritur gjysmë milion refugjatë lufte që u ikën masakrave të regjimit të Sllobodan Milosheviçit në 1999 dhe jemi një vend ku është shumë e rëndësishme që të mos harrohet, se ka një kohë për të kërkuar, ka një kohë për të dhënë. Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talebanëve islamistë, por ishte një ferr i talebanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme”, u përgjigj kryeministri.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se është e gatshme të strehojë 4 mijë afganë, në përpjekjet për t’i shpëtuar nga regjimi ekstremist i talebanëve. Aktualisht, në vendin tonë kanë mbërritur 463 afganë, të cilët janë akomoduar në Tiranë dhe në strukturat hoteliere të Durrësit dhe Shëngjinit.

Teksa Rama foli për ferrin në Afganistan, gazetarja e pyeti nëse edhe Shqipëria një lloj “ferri”, duke iu referuar faktit se shumë të rinj po largohen nga vend.

Sipas Ramës, emigrimi i popullsisë është fenomen i  të gjitha vendeve të Lindjes dhe bëhet fjalë për lëvizje drejt tregut të lirë të punës.

Në të gjitha vendet e Lindjes, qofshin vende anëtare të BE, qofshin vende kandidate të BE, ka pasur një lëvizje masive të njerëzve drejt Perëndimit, dhe, nëse për ata që janë anëtarë, bëhet fjalë për lëvizje brenda një perimetri tregu të lirë të punës, për shqiptarët dhe të tjerët bëhet fjalë për një lëvizje që nuk është vërtet e lirë. Është një lëvizje e lidhur sigurisht me çështje ekonomike, por është e lidhur gjithashtu me rrjete të emigracionit të paligjshëm.

Thënë kjo këtu nuk ka aspak kontradiktë, sepse ne jemi një vend mikpritës, i kemi pritur gjithmonë njerëzit në nevojë dhe do ta bëjmë gjithmonë”.

 

Top Channel