Degjeneron sherri mes çiftit në Vlorë, shkodrani e tërheq zvarrë në mes të lokalit dhe plagos studenten 20-vjeçare

25/09/2021 12:44

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në Vlorë pranë Poliklinikës.

Shtetasi Fasil Likaj, 30 vjeç, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasen Kostandina Zanaj, 20 vjeçe, studente në qytetin e Vlorës, të cilët dyshohen se kanë patur një lidhje dashurie të mëparshme.

Vajza është transportuar menjëherë drejt spitalit dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas informacioneve të siguruara mësohet se gjithçka nisi pas një zënke mes djalit e vajzës, të cilët ishin të ulur në vendin e quajtur “Bar Cacai”, lagjja “28 Nëntori”.

Pak minuta më pas ka agravuar situata dhe mësohet se djali ka tërhequr me dhunë për ta nxjerrë jashtë të renë dhe më pas ka qëlluar me armë në drejtim të saj, duke e plagosur në këmbë.

Pas këtij veprimit, i riu ka hedhur edhe një granatë në drejtim të lokalit, e cila fatmirësisht nuk ka plasur.

Policia arriti të arrestoi në kohë rekord autorin e ngjarjes, ndërkohë që ka sekuestruar një armë zjarri pistolete dhe 2 granata dore.

“Më datë 25.09.2021, rreth orës 12:05, në vendin e quajtur “Bar Cacai”, lagjia “28 Nëntori”, Vlorë është plagosur me armë zjarri shtetasja K.Z, 20 vjeçe lindur në Berat, student në Vlorë, e cila është shoqëruar për në spital për ndihmë mjeksore, momentalisht jashtë rrezikut për jetën.

Falë reagimit të mejëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi Fadil Likaj, 30 vjeç, banues në Shtoj, Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale Policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit me të cilën dyshohet se autori ka kryer plagosjen, një granatë dore në ambientet e lokalit si dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar në çantën e autorit iu gjet dhe sekuestrua një granatë e dytë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel