E inauguruar në vitin 2011 rruga Elbasan-Gjinar, shumë shpejt do të shfaqte probleme në disa pjesë të saj.
Në vitin 2012, një vit më pas, kjo rrugë u shemb, pranë fshatit Shelcan, duke izoluar krejtësisht zonën e shpatit me rreth 10 mijë banorë.
Por problemi nuk është vetëm pjesa e shembur. Tashmë rruga ka pësuar çarje, rrëshqitje dhe gropa në pothuajse gjithë gjatësinë e saj prej 23 km.
Në shkurt të vitit 2018 me urdhër të prokurorisë u arrestuan 11 persona, përfshirë ish drejtorin e ARRSH për abuzime me fondet e kësaj rruge dhe drejtuesit e kompanisë ndërtuese.
Ashtu siç ndodh rëndom të arrestuarit brenda pak ditëve u liruan ndërsa qindra banorë të zonës së shpatit por edhe mijëra turistë të një prej zonave më të bukura të Elbasanit vuajnë pasojat që askush s’ka ndërmend t’i rregullojë.
Sikur të mos mjaftonin abuzimet me këtë rrugë, shfrytëzimi nga mjetet e rënda që punojnë në guroret e zonës po e çojnë drejt degradimit total.
Bashkia e Elbasanit ka kërkuar ndërhyrje nga ARRSH për riparimin e rrugës e cila jo vetëm lehtëson lëvizjen e banorëve, por është edhe një resurs ekonomiko-turistik.
Top Channel