Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar duket se ka siguruar sërish fitoren në zgjedhjet parlamentare treditore, megjithëse ka humbur terren ndaj kundërshtarëve të saj, sipas rezultateve fillestare dhe një sondazhi me votuesit në qendrat e votimit të dielën.
Me gati 13% të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Rusia e Bashkuar kishte fituar pak më shumë se 40% të votave.
Ndërkohë një sondazh i kryer nga INSOMAR në dalje të qendrave të votimit, rezultatet e të cilit u publikuan nga agjencia ruse e lajmeve RIA parashikon se Rusia e Bashkuar do të fitojë pak më shumë se 45% të votave, raporton VOA.
Megjithëse kjo do të ishte një fitore e theksuar, do të përbënte një rezultat më të dobët se herën e fundit që u mbajtën zgjedhjet parlamentare në vitin 2016, kur partia fitoi pak më shumë se 54% të votave.
Partia në pushtet ka pësuar një rënie të popullaritetit për shkak të rënies së standardeve të jetesës dhe i është dashur të përballet gjithashtu me një fushatë taktike votimi të organizuar nga aleatët e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny.
Rezultatet fillestare treguan se Partia Komuniste përfundoi në vendin e dytë me rreth 24% të votave, e ndjekur nga partia nacionaliste LDPR me rreth 9%. Të dyja këto forca zakonisht mbështesin Kremlinin për çështjet kryesore.
Kritikët e Kremlinit thonë se votimi ishte një mashtrim, duke pasur parasysh një sërë goditjesh parazgjedhore që nxorrën jashtë ligjit lëvizjen e Navalny-t, ndaluan aleatët e tij të kandidonin dhe vunë në shënjestër mediat kritike dhe organizatat joqeveritare të cilat autoritetet i konsideruan si armiqësore.
Megjithatë, fitorja e pritshme e Rusisë së Bashkuar ka të ngjarë të përdoret nga Kremlini si dëshmi e mbështetjes së gjerë për Presidentin Putin, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër që nga viti 1999.
Aleatët e zotit Navalny, i cili po vuan një dënim me burg për shkelje të lirimit me kusht, akuzë që ai mohon, kishte inkurajuar votimin taktik kundër Rusisë së Bashkuar, një skemë sipas së cilës bëhet thirrje të mbështetet kandidati që ka shumë të ngjarë të mposhtë partinë në pushtet në një zonë elektorale të caktuar. Autoritetet u përpoqën të bllokonin iniciativën në internet.
Golos, një mbikëqyrës i pavarur i zgjedhjeve, tha se kishte regjistruar shumë shkelje gjatë votimit, përfshirë kërcënimet kundër vëzhguesve dhe fletëve të shumëfishta votimi, shembuj të qartë të të cilave qarkulluan në mediat sociale, ku disa individë u kapën nga kamera duke futur pako të fletëvotimeve në kutitë e votimit .
Top Channel