SHBA nisi dëbimin e migrantëve nga Haiti, pasi më shumë se 1200 persona u vendosën në një kamp të impovizuar në një qytet kufitar të Teksasit.

Agjencia e Imigracionit dhe Doganave po ashtu njoftoi se ka mbyllur disa pjesë të kufirit me Meksikën, për t’i ndaluar migrantët nga Haiti të futen në territorin amerikan.

Migrantët nga Haiti, të cilët u dëbuan nga qyteti San Antonio i Teksasit kritikuan mënyrën e deportimit dhe trajtimin e tyre gjatë ndalimit.

Gjatë ditës së dielë tre avionë me migrantë nga Haiti mbërritën në kryeqytetin Port-au-Prince, pasi agjencia e Imigracionit dhe Doganave në SHBA vendosi të ndërhyjë për situatën e krijuar në qytetin pranë kufirit me Meksikën.

“Ata nuk na lanë të merrnim asnjë nga sendet tona. Ishte si të ishe në burg, pa ushqim, asgjë nuk na dhanë”, tha për Zërin e Amerikës Dieudonne Cassagne, një migrant nga Haiti.

Një grua migrante që refuzoi të identifikohej i tha Zërit të Amerikës, se haitianët u trajtuan ndryshe nga migrantët e tjerë gjatë ndalimit.

Administrata Biden njoftoi të shtunën se do të niste dëbimin e migrantëve nga Haitit, të cilët kishin ngritur një kamp poshtë një ure në qytetin “Del Rio”.

Numri i lartë i migrantëve që kalonin kufirin çdo ditë ishte i lartë dhe autoritete nuk kishin më burime për t’i trajtuar ata, thanë zyrtarët.

“Migrantët që përpiqen, ose mendojnë të bëjnë udhëtimin drejt kufirit tonë duhet ta dinë se ne ende po zbatojmë urdhrin për dëbimin e tyre dhe ata nuk do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Ata do të dërgohen përsëri në vendin e tyre të origjinës dhe ne do të zbatojmë ligjin”, tha Raul L. Ortiz nga Roja Kufitare e SHBA.

Sipas tij kjo masë synon të pengojë numrin e lartë të migrantëve, ndërsa autoritetet amerikane po përpiqen të menaxhojnë situatën e krijuar poshtë një ure në qytetin Del Rio të Teksasit.

Ndërkohë agjencia e Imigracionit dhe Doganave njoftoi se nga dita e hënë do të kryehen më shumë fluturime me migrantë drejt Haitit.

Kreu i zyrës së migrimit të Haitit, i tha Zërit të Amerikës se emigrantët e dëbuar nga SHBA do të ndihmohen financiarisht, në mënyrë që ata të rifillojnë jetën në vendin e tyre. Shumë prej migrantëve nga Haiti thonë se tërmeti i fundit shkatërrimtar dhe vrasja e Presidentit Jovenel Moïse kanë rritur frikën dhe pasigurinë në vend.

Migrimi masiv drejt SHBA-së nisi pas tërmetit të vitit 2010, ndërsa numrat filluan të rriten pas përfundimit të Lojërave Olimpike në Rio de Janeiro, në vitin 2016, kur përfundoi puna që shumë haitianë kishin në Brazil./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA