Pemët më të mëdha në botë vishen me fletë alumini, rrezikojnë zhdukjen nga zjarret

18/09/2021 14:09

Zjarrfikësit amerikanë po përpiqen të shpëtojnë pemët më të mëdha të botes nga zjarret që kanë rrethuar parkun e sekuojave gjigande në Kaliforni.

Për t`i mbrojtur nga flakët, ata e kanë mbështetjellë pjesën e poshtme të pemëve me fletë alumini, të cilat kanë aftësinë që për një periudhë të shkurtër kohe t’i rezistojnë një të nxehti intensiv. Ky lloj materiali është përdorur prej vitesh në perëndimin e SHBA-së për të mbrojtur strukturat më të cenueshme nga flakët. Njëri prej dy zjarreve të mëdha që digjen në zonë pritet t`i afrohet sekuojave brenda pak ditësh.

Në përpjekje për të kontrolluar drejtimin e flakëve, zjarrfikësit kanë vënë dhe vetë disa zjarre me qëllimin të pastrojnë bimësinë e thatë e që digjet shpejt. Sekuojat gjigande përgjithësisht arrijnë t`i përballojnë zjarret, por intensiteti i jashtëzakonshëm i këtyre flakëve është shumë i madh për to. Thatësira historike dhe valët e të nxehtit të lidhura me ndryshimet e klimës e kanë vështirësuar së tepërmi luftën me zjarret pyjore në perëndim të Amerikës.

Top Channel