Kokteji i antitrupave të Trump, nis të përdoret në spitalet britanike

18/09/2021 14:15

Mjekimi eksperimental që iu dha ish presidentit amerikan Donald Trump kundër koronavirusit, nga java e ardhshme do të jetë në dispozicion të pacientëve më të cenueshëm në spitalet britanike.

Kokteji i antitrupave që Trump mori kur u shtrua në spital pasi u prek nga Covid, konsiderohet ani se ka potencialin të ndryshojë betejën e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor në Britani me sëmundjen. Kokteji është parë ta ulë më katër ditë shtrimin në spital dhe të reduktojë me 20% vdekshmërinë nga koronavirusi.

Zyrtarët britanikë thonë se nga Ronapreve mund të përfitojnë mijëra pacientë, por fillimisht ai do t`u jepet personave që nuk kanë krijuar një përgjigje imunitare ndaj Covid 19. Qeveria britanike thotë se ka blerë sasi të mjaftueshme të këtij mjekimi për të trajtuar me të pacientë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar duek filluar nga java e ardhshme.

“Ne do të përpiqemi me çdo kusht të gjejmë trajtimet më të mira të mundshme për këtë sëmundje, të shpëtojmë jetë dhe të mbrojmë NHS-në”, deklaroi ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid ( Saxhid Xhavid). Në muajin gusht, agjensia rregullatore e barnave pohoi se të dhënat nga testet e kryera, treguan që Ronapreve mund të parandalojë infektimin, të trajtojë simptomat e rënda e të ulë gjasat e shtrimit në spital për të prekurit nga Covid.

Top Channel